Forcat ruse kanë përdorur armë të dhuruara nga Koreja e Veriut për t’i shpeshtuar sulmet me raketa kundër infrastrukturës civile kritike në Ukrainë dhe kanë “terrorizuar” qytete të tëra, sipas një raporti nga disa vende anëtare të OKB-së që e zbulon nivelin e varësisë së Moskës nga regjimi në Penjan.
Ekipi Vëzhgues Shumëpalësh i Sanksioneve, i cili përbëhet nga 11 shtete, përfshirë Shtetet e Bashkuara, Britaninë, Japoninë dhe disa vende të BE-së, tha se diktatura e Kim Jong Un-it e ka furnizuar Rusinë me mbi 20 mijë kontejnerë me municione që nga shtatori i vitit 2023, raporton gazeta “The Guardian”.
Ekipi tha se dëshmitë që i ka grumbulluar tregojnë që Koreja e Veriut dhe Rusia ishin përfshirë në “aktivitete të paligjshme të shumta”, të cilat janë të ndaluara me rezoluta të OKB-së për sanksionet.
Në qershor të vitit të kaluar, udhëheqësi koreanoverior, bashkë me presidentin rus, Vladimir Putin, nënshkruan një traktat për partneritet gjithëpërfshirës strategjik, me të cilin dy vendet u zotuan që t’i dalin në ndihmë njëra-tjetrës në rast të ndonjë sulmi.
Në raportin e tij të parë që nga themelimi më 2024 për t’i vëzhguar sanksionet e OKB-së që janë nxitur nga programi i armëve bërthamore i Koresë së Veriut, grupi tha se deri në 9 milionë predha artilerie e municion i raketahedhësve janë dërguar nga Koreja e Veriut në Rusi.
“Të paktën për të ardhmen e parashikueshme, Koreja e Veriut dhe Rusia synojnë që ta vazhdojnë dhe ta thellojnë bashkëpunimin e tyre ushtarak në kundërshtim me rezolutat përkatëse të Këshillit të Sigurimit të OKB-së” – tha grupi vëzhgues.
Që nga fillimi i dërgimit të municionit në Rusi në shtatorin e vitit 2023, Koreja e Veriut ka dërguar të paktën 100 raketa balistike, armë artilerie, raketahedhës të shumëfishtë me rreze të gjatë dhe municione, sipas këtij raporti, ku shtohet se armët janë transferuar përmes detit, ajrit dhe transportit hekurudhor.
Raketat balistike të Koresë së Veriut po përdoreshin për ta “shkatërruar infrastrukturën civile dhe për t’i terrorizuar zonat e populluara si Kievi dhe Zaporizhia”, thuhet në raport.
Muajin e kaluar, Kimi dhe Putini konfirmuan për herë të parë se Koreja e Veriut kishte dërguar trupa në Rusi për të luftuar kundër forcave ukrainase, duke i përshkruar ata si “heronj”. Vlerësohet se rreth 11 mijë ushtarë koreanoveriorë janë dërguar në Rusi.