Raporti në SHBA zbulon lidhjen e kredisë së Aeroportit të Vlorës me fonde që menaxhojnë borxhin rus

Një raport zyrtar në ShBA dëshmon se instrumenti financiar të cilit Behgjet Pacollit provoi t’ia transferonte jashtëligjshëm kontrollin e Aeroportit të Vlorës, rezulton pjesë e një fondi të përbashkët investues me Federatën Ruse.

Struktura financiare të cilës biznesmeni Behgjet Pacolli u përpoq t’ia kalonte nën kontroll të gjitha aksionet e Aeroportit Ndërkombëtar të Vlorës (VIA Sh.P.K), rezulton pjesë e një fondi investues bashkë me borxhin sovran rus (Russian Foreign Bond), tregon një raport zyrtar financiar në ShBA.

Një dokument zyrtar i dorëzuar pranë Komisionit Amerikan të Letrave me Vlerë dhe Shkëmbimeve (SEC) tregon se “Compartment Bernina”, një nën-fond që menaxhohet nga kompania investuese “Delphos Securities”, posedon letra me vlerë në fondin ndërkombëtar “GMO Emerging Country Debt Fund”.

Bazuar në dokumentet zyrtare të cilat janë publikuar në EDGAR, e cila është e lidhur me agjencinë qeveritare amerikane SEC, ky fond ndërkombëtar ka një bilanc prej 17.5 milionë dollarë të lidhur me “Compartment Bernina”.

Bernina është një nën-fond investues brenda kompanisë “Delphos Securities SARL”, i krijuar për të menaxhuar dhe administruar investimet lidhur me Aeroportin e Vlorës.

Emri i kësaj kompanie ndodhet në qendër të skandalit të zbuluar në tetor të vitit të kaluar që u nxor në pah pas krisjes mes dy ortakëve kryesorë të Aeroportit të Vlorës: Behgjet Pacollit dhe Valon Ademit.

Përplasja mes tyre kishte shkas një marrëveshje të lidhur mes kompanisë nën pronësi të Pacollit, “Mabco Constructions S.A” dhe fondit investues “Delphos Securities”, përmes të cilës biznesmeni nga Mareci synonte t’ia kalonte aksionet e Aeroportit të Vlorës këtij fondi investues, tinëzisht dhe pa e njoftuar ortakun e tij.

Kjo skemë e dyshimtë e tentim-dorëzimit të Aeroportit në duart e një kompanie offshore, ishte përthëkuar nën formulimin e gjoja “një marrëveshje kredie” në vlerë 100 milionë euroshe të Mabco-s nga Delphos, me norma paarsyeshmërisht të larta interesi.

Hileja dyshohet se ishte kaq e thjeshtë: në rast se Pacolli nuk do ta shlyente kredinë me interes fillestar 7.6%, atëherë aseti kyç strategjik i shtetit shqiptar do t’i kalonte nën kontroll financiar “Compartment Berninës”.

Skema e Pacollit nuk kaloi.

Një gjykatë në Shqipëri caktoi masë të sigurisë mbi aksionet e Aeroportit Ndërkombëtar të Vlorës, duke pamundësuar zbatimin e ujdisë së dyshimtë.

Të kthehemi sërish te fondi ndërkombëtar “GMO Emerging Country Debt Fund” dhe tek të dhënat mujore të publikuara nga Komisioni Amerikan i Letrave me Vlerë dhe Shkërbimeve (SEC).

Të dhënat publike pranë kësaj agjencie dëshmojnë se fondi “GMO Emerging Country Debt Fund”, në të cilin Bernina posedon 17.5 milionë dollarë amerikanë si letra me vlerë, mban obligacione të emetuara drejtpërdrejt edhe nga shteti rus.

Raporti mujor i fondit ndërkombëtar GMO, i dorëzuar pranë SEC, përmban shënime me emërtimet ‘Russian Federation’ dhe ‘Russian Foreign Bond – Eurobond’, vetëm pak rreshta më poshtë informacionit për Berninën.

Ky dokument zyrtar i organit rregullatorit shtetëror amerikan të tregjeve financiare, thellon dyshimet për lidhjet e dyshimta të biznesmenit Pacolli me rusë dhe rrezikun e tejkalimit të një aseti strategjik të shtetit shqiptar në duart e një vendi armik.

Dyshimet për përfshirjen e interesave ruse përmes Pacollit në Aeroportin e Vlorës ishin kallëzuar penalisht në Prokurorinë e Tiranës në shtator të vitit të kaluar, kishte raportuar portali Hashtag.al duke u thirrur në burime.

Sipas raportimit të portalit, kallëzuesi që e kishte deponuar lëndën në Prokurori ishte “vënë në lëvizje nga shërbimet inteligjente partnere” të shtetit shqiptar.

Paralelisht me këtë kallëzim, një hetim tjetër penal kishte nisur nga Prokuroria e Tiranës kundër Pacollit nën dyshimin për “mashtrim me pasoja të rënda”, “falsifikim dokumentesh” dhe “mashtrim kompjuterik”.

Ndërsa në dhjetor të vitit të shkuar, Gjykata e Shkallës së Parë në Tiranë e përjashtoi Pacollin dhe kompaninë e tij Mabco nga e drejta e vendimmarrjes në Aeroportin Ndërkombëtar të Vlorës.

Vendimi derivoi nga padia e kompanisë ortake në Aeroport, 2A Group nën pronësi të Valon Ademit, e cila kishte arsyetuar para gjykatës rrezikun real që Aeroporti i Vlorës të humbiste kontrollin shqiptar përmes një skeme financiare të fshehtë, raporton Paparaci.

Dy biznesmenët nga Kosova, kishin marrë para katër vitesh Aeroportin me koncension nga shteti shqiptar.

Edhe pse operimet normale me pasagjerë planifikohej të nisnin në gjysmën e dytë të vitit të 2025, projekti ende nuk ka përfunduar si pasojë e konfliktit ligjor mes dy ortakëve.

Ademi pretendon se zotëron 47% të aksioneve në koncension, ndërsa Pacolli pretendon se zotëron shumicën absolute të tyre.

Video nga Inteligjenca n'3D - mos e humbisni:

PUBLIKIMET E FUNDIT

TË NGJASHME