Rama: Po mendojmë ndalimin e TikTokut dhe Snapchatit në territorin e Republikës së Shqipërisë

Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama njoftoi se qeveria e tij po mendon ta ndalojë përdorimin e TikTokut dhe Snapchatit në vend.

Ai paralajmëroi marrjen e këtij vendimi drastik ndërsa fliste për vrasjen makabre të një 14-vjeçari nga një adoleshent tjetër në Tiranë.
Prej tre ditësh, i madh e i vogël është tronditur nga vrasja makabre e një nxënësi 14-vjeçar me thikë nga një adoleshent tjetër. E gjithë dinamika e tragjedisë nxjerr në pah kërcënimin permanent me të cilin jetojnë të gjitha familjet që rrisin fëmijë në botën e sotme ku rrjetet sociale dhe posaçërisht TikTok-u apo Snapchat-i, thithin përditë në labirintet e tyre fëmijët qysh në moshë të vogla. Autoriteti i prindërve dhe mësuesve si dhe të gjitha përpjekjet tona në familje dhe shkollë për edukimin e fëmijëve sfidohen orë e çast nga bota paralele e këtyre rrjeteve ku nuk ka asnjë filtër, asnjë mbrojtje, asnjë stimul pozitiv në mbështetje të këtyre përpjekjeve dhe ku jo vetëm edukimi, por deri edhe shëndeti mendor i më të vegjëlve dhe adoleshentëve vihen seriozisht në pikëpyetje. Këto janë të vërteta të thjeshte me të cilat nuk është e vështirë të gjithë të biem dakord si prindër apo si qytetarë dëshmitarë të shoqërisë, të kohës, të botës së sotme ku garantimi i sigurisë së fëmijëve është përparësi e përparësive tonë. Por, nuk janë po kaq të thjeshta përgjigjet e duhura në këto kushte, ku shumë shtete po mundohen të vendosin filtra mbrojtës, por ende pa asnjë rezultat domethënës”, tha Rama.

Kryeministri shqiptar tha se janë angazhuar në hulumtimin e kësaj dinamike për të kërkuar zgjidhje, ndërsa përmendi disa ide.

“Ne si qeveri jemi angazhuar prej kohësh në hulumtimin e kësaj problematike, duke ndjekur hap pas hapi se çfarë bëjnë vendet e tjera, por edhe në kërkimin e zgjidhjeve të mundshme për ta ulur këtë presion gjithnjë e më të frikshëm. Faktikisht, janë ndërmarrë iniciativa të ngjashme që nga Australia ku aktualisht po tentohet ndalimi i aksesit në rrjetet sociale të të gjithë fëmijëve deri në 16 vjeç, deri te Franca e cila po diskuton vendosjen si kusht të aprovimit të prindërve për hapjen e një llogarie online të një fëmije nën 15 vjeç apo Spanja ku fillimisht u vendos që fëmijët deri në 14 vjeç të mos lejohen të hapin llogari online dhe së fundmi ky kufi është rritur deri në 16 vjeç. Por përtej këtyre përpjekjeve dhe debateve, problemi ende i hapur mbetet mungesa e një sistemi të zbatimit të tyre si rezultat i vështirësisë në aspektin teknik që lidhet me disa faktorë që nuk është vendi t’i shtjellojmë sot. Tani, dilemma jonë si qeveri është nëse duhet të provojmë edhe ne të ecim në drejtim të vendosjes së filtrave, kur në fakt nga të gjitha eksperiencat e deritanishme në Europë apo përtej Europës mësojme se efektiviteti i tyre është ende shumë i ulët, ndërkohë që stimujt e dhunës dhe rastet e bullizmit në botën online të fëmijëve dhe të adoleshentëve vetëm rriten, apo të ndërmarrim një masë drastike për mbylljen e plotë të TikTokut, e pse jo edhe të Snapchatit në territorin e Republikës së Shqipërisë. Kemi vendosur që këtë dilemë ta hedhim për diskutim të gjerë në të gjitha komunitetet e prindërve, ku do të angazhohen të gjitha shkollat nën drejtimin e Ministrisë së Arsimit, për të marrë një vendim sa më demokratik për një problem kaq të madh, kompleks në përmbajtjen dhe zgjidhjen e vet”, tha ai.https://youtu.be/-WHjBjHU0aI?si=VO3Aeg0vNauIs-GP

PUBLIKIMET E FUNDIT

TË NGJASHME

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here