Raketat Taurus për Ukrainën në qendër të vëmendjes, pas fjalëve të Merzit

Debati për furnizimin apo jo të Kievit me raketa lundruese gjermane, Taurus, është ndezur sërish pas deklaratave të kancelarit gjerman, Friedrich Merz, për ta lejuar Ukrainën t’i godasë shënjestrat ushtarake thellë brenda Rusisë me raketat e furnizuara nga Perëndimi.

Debati është kthyer në qendër të vëmendjes po ashtu në një kohë kur presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, e vizitoi Berlinin të mërkurën.

Ukraina ka kohë të gjatë që ia kërkon Gjermanisë këto raketa gjermano-suedeze, të cilat mund ta godasin cakun me saktësi të lartë në objektiva deri në 500 kilometra larg.

Gjermania është furnizuesi i dytë më i madh i ndihmës ushtarake për Ukrainën, pas Shteteve të Bashkuara. Megjithatë, paraardhësi i Merzit, Olaf Scholz, nuk kishte pranuar të dërgonte raketat Taurus për shkak të kërcënimeve nga Kremlini se kjo do ta bënte Berlinin pjesë të luftës.

“Vonesat gjermane nën udhëheqjen e Scholzit i dhanë Rusisë përparësi operacionale dhe ia mundësuan asaj ta përshtatë mbrojtjen dhe taktikat e saj”, tha për Radion Evropa e Lirë John Foreman, ish-atashe ushtarak britanik në Moskë dhe Kiev.

“Shtimi i një aftësie tjetër, edhe pse me vonesë, do të ishte i dobishëm për Ukrainën. Por, nuk jam i bindur se do ta ndryshojë rrjedhën e luftës”, shtoi ai.

Çfarë raketash me rreze të gjatë veprimi ka Ukraina?
Prej se Rusia e nisi pushtimin e plotë të Ukrainës në vitin 2022, vendet perëndimore e kanë furnizuar Kievin me armë që janë në gjendje ta godasin shënjestrën shumë prapa vijave të frontit rus.

Mbretëria e Bashkuar dhe Franca kanë dërguar raketat Storm Shadow/Scalp me rreze veprimi prej rreth 250 kilometrash, ndërsa SHBA-ja ka dërguar sistemin raketor taktik ATACMS me rreze veprimi prej rreth 300 kilometrash.

Këto armë fillimisht u furnizuan me kusht që të përdoren vetëm kundër objektivave në territorin ukrainas të pushtuar nga Rusia.

Por, në nëntor të vitit të kaluar, administrata e atëhershme e presidentit Joe Biden deklaroi se Ukraina mund t’i përdorte ATACMS në rajonin Kursk të Rusisë, ku forcat e saj po përpiqeshin të mbanin nën kontroll një pjesë të vogël territori rus.
Pak pas kësaj, u raportua përdorimi i raketave Storm Shadow/Scalp brenda territorit rus.

Tani duket se Merz i ka komentuar ato zhvillime.

“Shtetet që vendosën kufizime për armët me rreze të gjata, i kanë braktisur ato kushte prej kohësh”, tha ai më 27 maj.

“Ukraina ka të drejtë të përdorë armët që merr – përfshirë edhe përdorimin e tyre përtej kufijve kombëtarë kundër shënjestrave ushtarake në territorin rus”, shtoi ai.

Këto deklarata sqaruan një intervistë televizive të një dite më parë, në të cilën ishte lënë të kuptohej se bëhej fjalë për një politikë të re dhe ndezi thashetheme për furnizimin e mundshëm të Ukrainës me raketat Taurus nga Gjermania.

“Çështja kryesore është që partnerët tanë të na furnizojnë me mjetet për të goditur – si Scalp ashtu edhe Taurus gjermane. Nëse e bëjnë këtë, do të na ndihmojë shumë”, tha deputeti ukrainas Roman Kostenko për Shërbimin ukrainas të REL-it.

Roman Svitan, analist ushtarak ukrainas, ka të njëjtin qëndrim.
Së pari, duhet të na japin këto raketa dhe pastaj të na lejojnë t’i përdorim kudo. Ukraina nuk ka më raketa të tilla perëndimore. Nuk kemi me çfarë të qëllojmë”, tha Svitan për REL-in.

Taurus nuk i ndryshojnë gjërat
Foreman, atashe ushtarak britanik, paralajmëroi se raketat Taurus nuk do të jenë faktor vendimtar.

“Rusia është përshtatur ndjeshëm gjatë tri vjetëve të fundit, veçanërisht përmes shpërndarjes së forcave, ndryshimeve taktike dhe përmirësimit të mbrojtjes së saj kinetike dhe jokinetike”, tha ai.

“Këto masa e kanë kufizuar [por jo eliminuar] cenueshmërinë ndaj sulmeve me raketa nga Ukraina në prapavijat ruse… Disa sulme me raketa Taurus nuk do ta ndryshojnë ndjeshëm këtë situatë”, shtoi ai.

Megjithatë, një njoftim për furnizim të mundshëm mund të rrisë moralin e ukrainasve dhe do t’i jepte Zelenskyt fitore politike. Komentet e Merzit morën reagim negativ nga Moska.

“Këto vendime të mundshme, nëse janë marrë, janë plotësisht në kundërshtim me aspiratat tona për një zgjidhje politike”, tha zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov.

Këto janë “vendime mjaft të rrezikshme”, shtoi ai.

Nuk pati reagime të menjëhershme zyrtare nga Londra, Parisi apo Uashingtoni – një heshtje që përkon me strategjinë që Berlini e quan “paqartësi strategjike”. Në thelb, kjo nënkupton që nuk duhet të zbulohet paraprakisht strategjia ushtarake ndaj Moskës. Për Merz, kjo paraqet një ndryshim të qëndrimit.

Merzi ndryshon qëndrimin për Taurusin
Qëndrimi i Merzit për raketat Taurus ka ndryshuar me kalimin e kohës. Derisa ishte në opozitë, ai e kritikonte ashpër Qeverinë gjermane për hezitimin e saj për mbështetjen ndaj Ukrainës – dhe kërkonte transparencë për furnizimet ushtarake.

Në nëntor 2023, ai paraqiti një mocion në Parlament që kërkonte “më në fund, pa vonesë, të plotësohet kërkesa e Ukrainës për raketat Taurus”. Mocioni u hodh poshtë.

Në tetor të vitit të kaluar, Merz kishte propozuar që Qeveria t’i jepte Moskës një ultimatum: ose ndal sulmet ndaj civilëve ukrainas, ose Gjermania do ta furnizojë Ukrainën me raketat Taurus.

Në komentet e tij më 26 maj, ai nuk i përmendi drejtpërdrejt raketat Taurus, por mund të ketë lënë të nënkuptohet.

“Do të bëjmë gjithçka që mundemi për të mbështetur Ukrainën. Kjo nënkupton dhënies fund të kufizimeve në lidhje me armët me rreze të gjata që ne furnizojmë ata”, shkroi ai në rrjetet sociale.
REL.

Video nga Inteligjenca n'3D - mos e humbisni:

PUBLIKIMET E FUNDIT

TË NGJASHME

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here