Lidhja Demokratike e Kosovës thotë se dy deputetë të saj janë në fokusin e Lëvizjes Vetëvendosje për të votuar për zgjedhjen e Albulena Haxhiut në postin e kryeparlamentares.
Pas ndërprerjes së seancës së 22-të konstituive të Kuvendit të Kosovës, Quni tha se LDK-ja është në njohuri për bisedat e përfaqësuesve të LVV-së me këta dy deputetë.
“Dy deputetë të LDK-së janë në fokus të veçantë të autoriteteve të Vetëvendosjes. Ne i kemi njohuritë dhe informatave si dhe i kemi bisedat e këtyre dy deputetëve që janë në fokusin e LDK-së. I janë ofruar benefite të ndryshme për bizneset e tyre familjare”, tha Quni.
“Për të 22-tën herë jemi dëshmitarë të dështimit të partisë Vetëvendosje, e cila nuk po i arrin votat e mjaftueshme për votimin e kryetarit të Kuvendit. Kjo gjendje është treguese se VV-ja nuk i ka votat as për krijimin e qeverisë. Kështu që, kur një parti nuk mund t’i sigurojë votat është e pakuptimtë të vazhdohet me të njëjtën agjendë dhe të kmbëngulet pafundësisht”, tha ai.
Quni tha se “zgjidhja në këto rrethana është dakordimi për një qeverisë gjithëpërfshirëse”.
Ai u shpreh se LDK-ja gjithnjë do të insistojë “me racionalitet dhe respekt reciprok” në synimin për krijimin e institucioneve.