Qeveria e Kosovës në detyrë ka miratuar ndryshimin dhe plotësimin e vendimit të Qeverisë lidhur me zbatimin e pakove 15, 16, 17 dhe 18 të sanksioneve të Këshillit të Bashkimit Evropian, si dhe masave të Shteteve të Bashkuara të Amerikës ndaj Federatës Ruse dhe Bjellorusisë, në lidhje me situatën në Ukrainë.
Në mbledhjen e sotme, ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka thënë se vendimi vjen si pjesë e angazhimit të Kosovës për të mbështetur Ukrainën dhe për të harmonizuar politikat me partnerët ndërkombëtarë.
Ai ka thënë se kjo pako përfshin masa kufizuese ekonomike dhe individuale me qëllim të kufizimit e mëtejmë të aftësisë së Rusisë.
“Për të mbështetur kundërshtimin e agresionit të Federatës Ruse kundër Ukrainës, në përputhje me masat dhe sanksionet e BE-së dhe SHBA-së, MPJD propozon për shqyrtim dhe miratim vendimin për zbatimin e pakos 15, 16, 17 dhe 18 të sanksioneve të BE-së ndaj Federatës Ruse si dhe masave shtesë përkatëse.
Më 16 dhjetor 2024 Këshilli i BE-së miratoi pakon e 15 të sanksioneve ndaj Federatës Ruse, kjo pako përfshin masa kufizuese ekonomike dhe individuale me qëllim të kufizimit e mëtejmë të aftësisë së Rusisë për të zhvilluar luftën e saj të paligjshme, të paprovokuar dhe pa justifikuar të agresionit kundër Ukrainës”, ka thënë Sveçla.