Qeveria iraniane po përgatitet për një sulm të ri raketor nga forcat amerikane dhe izraelite, pas njoftimit se aeroplanmbajtësja “USS Abraham Lincoln” bashkë me grupin e saj sulmues tashmë janë dislokuar me asete kyçe në rajon, sipas vëzhguesve.
Mendohet se Uashingtoni e ka bërë bashkë fuqinë e zjarrit me aeroplanët izraelitë për të organizuar një sulm që e ka për qëllim rrëzimin e pushtetit në Iran, i cili është akuzuar për shtypjen brutale të protestave dhe vrasjen e mijëra iranianëve, raporton gazeta “The Guardian”.
Flota amerikane, e cila përfshin disa anije të armatosura me raketa me drejtim, nuk është ende në pozitën e saj përfundimtare, por tashmë ndodhet brenda rrezes së sulmit ndaj Iranit. Sidoqoftë, nuk është e sigurt se sulmet e reja amerikane do t’i rindeznin protestat në rrugë, pasi shumë iranianë që janë kundër udhëheqjes nga klerikët, të cilët janë në pushtet që nga viti 1979, janë gjithashtu kundër ndryshimit të regjimit të imponuar nga jashtë, thekson gazeta britanike.
Kur nuk ka shenja të afërta për ndonjë hap të madh diplomatik, tregu iranian i aksioneve të hënën pësoi rënie rekorde ditore. Fuqitë rajonale, përfshirë Emiratet e Bashkuara Arabe, deklaruan se nuk do të lejojnë që hapësira e tyre ajrore ose ujërat territoriale të përdoren për të kryer sulme ndaj Iranit, por prania e grupit sulmues me aeroplanmbajtëse në Mesdhe nënkupton se nuk do të nevojitet leje nga shumë palë të treta për të kryer një sulm. Gjatë fundjavës, ushtria amerikane njoftoi se do të zhvillonte një ushtrim në rajon “për ta dëshmuar aftësinë për ta dislokuar, shpërndarë dhe mbajtur fuqinë ajrore luftarake”.
Çfarëdo sulmi i tillë nuk do të jetë i planifikuar për ta dobësuar programin bërthamor iranian tashmë të dobësuar, që ishte caku kryesor i luftës 12-ditore në qershorin e vitit të kaluar, por për ta vënë në shënjestër udhëheqjen politike të vendit dhe për t’i sjellë në rrugë protestuesit e zemëruar me rënien e standardeve të jetesës. Sipas shifrave të reja zyrtare, inflacioni në Iran muajin e kaluar shkoi në 60 për qind.
Ali Larijani, sekretar i Këshillit Suprem Kombëtar të Sigurisë në Iran, pretendoi se Shtetet e Bashkuara po mundohen që ta shkatërrojnë kohezionin social të vendit të tij para një sulmi. Ai tha se përpjekja e presidentit amerikan, Donald Trump, për ta portretizuar “vendin sikur është në gjendje urgjente është në vete një formë e luftës dhe kjo është saktësisht ajo që armiqtë po mundohen ta arrijnë.”
Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Iranit, Esmail Baghaei, duke folur në konferencën e tij javore për gazetarë, tha se është gënjeshtër që të thuhet se emisari i posaçëm amerikan, Steve Witkoff, është në kontakt me ministrin e Jashtëm, Abbas Araghchi, për të diskutuar një marrëveshje të mundshme diplomatike.
Baghaei shtoi se forcat e armatosura iraniane “janë duke vëzhguar me kujdes çdo lëvizje” dhe paralajmëroi se dërgimi i forcave dhe lëshimi i kërcënimeve “bie ndesh me parimet e sistemit ndërkombëtar” dhe kërcënoi se “nëse këto parime shkelen, pasiguria do t’i ndodhë secilit”.
“Ne do të japim një kundërpërgjigje gjithëpërfshirëse dhe të vajtueshme ndaj çfarëdo agresioni” – paralajmëroi ai.

