I pyetur nga një grup i vogël gazetarësh teksa ndodhej në Pekin, nëse lufta në Ukrainë është afër përfundimit, Presidenti rus Vladimir Putin tha se ka “dritë në fund të tunelit”.
“Unë besoj se, nëse ekziston logjika e shëndoshë, është e mundur të biem dakord për një opsion ose mënyrë të pranueshme për t’i dhënë fund këtij konflikti”, tha mes të tjerash Putin.
“Ne shohim gjithashtu se administrata aktuale e SHBA-së ka vullnetin dhe dëshirën për të gjetur këtë zgjidhje”, shtoi ai.
“Mendoj se ka një dritë në fund të tunelit. Do ta shohim. Përndryshe, do të detyrohemi t’i zgjidhim të gjitha objektivat tona me mjete ushtarake”, vijoi më tej Putin.
Në fushën e betejës, Putin thotë se forcat ruse po përparojnë “në të gjitha frontet” në Ukrainë.
Ai thotë se Ukraina “nuk është e aftë” të nisë ofensiva në shkallë të gjerë dhe thotë se tani po përpiqet të mbushë boshllëqet duke rigrupuar forcat e saj.
Ai shton: “Nuk duhet të jemi të qetë tani, ndoshta po përgatiten disa rezerva, disa veprime, ngjarje në shkallë të gjerë, por analiza paraprake nga ekspertët tanë ushtarakë thotë se ushtria e Ukrainës nuk e ka këtë aftësi.”