Moti ekstrem që ka përfshirë Afrikën e Jugut po shndërrohet në një katastrofë humanitare. Reshjet e dendura të shiut dhe dëborës që kanë goditur pjesën jugore të kontinentit afrikan kanë shkaktuar vdekjen e mbi 90 personave, ndërkohë që shumë të tjerë rezultojnë të zhdukur.
Situata është përshkruar si jashtë kontrollit, pasi autoritetet janë treguar të papërgatitura për përmasat e kësaj fatkeqësie natyrore. Për shkak të gjendjes së rënduar, ushtria është mobilizuar për të ndihmuar banorët në zonat e prekura, duke shpërndarë ushqime dhe ujë të pijshëm.
Pamjet e tmerrshme që kanë dalë nga terreni flasin për përmasa tronditëse. Në një rast, një autobus shkolle u përfshi nga përmbytjet dhe u tërhoq nga rrjedha e furishme e ujit. Vetëm tre nxënës arritën të mbijetojnë, ndërsa të tjerët janë mbytur ose konsiderohen ende të zhdukur.
Ndërkohë, kriza është thelluar edhe më shumë për shkak të ndërprerjeve masive të energjisë elektrike. Kompania shtetërore e energjisë Eskom ka njoftuar se afro 300 mijë shtëpi janë pa energji në 14 qytete dhe fshatra të Kepit Lindor.
Gjithashtu, 196 mijë shtëpi të tjera në 24 zona të KwaZulu-Natal janë të prekura nga ndërprerje të njëjta, sipas zëdhënëses së Eskom, Daphne Mokwena.