Psikologia Antigona Qenaj-Sejdiu, në emisionin ALARM në ATV, shpjegoi se personat të cilët kanë probleme të shëndetit mendor, jo gjithmonë mund të bëhen vrasës.
Tendenca për të përcaktuar si me probleme të shëndetit mendor një vrasës, sipas psikologes Qenaj – Sejdiu, është për me e shfajësua vrasjen. Ajo thotë se vrasësi nuk mund të shfajësohet duke marrë një diagnozë të tillë.
“Nuk ekziston ndonjë gjen i cili lidhet direkt me tiparet e një vrasësi. Ka tipare të caktuara, të cilat përshkruajnë një vrasës, siç është psikopatia, personi mundet me shfaqë simptoma të neuroticizmit, shfaqë vështirësi për me pasë empati ose nuk ka fare empati, nuk arrin me e ndje tjetrin, nuk arrin me i kuptu ndjenjat e tjetrit, nuk përjeton dhimbje ose nuk i vjen gjynah. Pra, këto janë vetëm tiparet e një vrasësi, por jo gjithmonë këta persona mund të bëhen vrasës. Etiketimet se persona të këtillë kanë probleme të shëndetit mendor, frikësojnë njerëzit të cilët përjetojnë realisht probleme të shëndetit mendor, dhe e dyta, tentohet që përmes etiketimit të tillë me u shfajësua kriminelët, e që në asnjë formë, nuk shfajësohet një person që është vrasës duke tentuar me marrë një diagnozë të tillë për me e arsyetua vrasjen”, tha psikologia Qenaj – Sejdiu.
Duke komentuar rastin e vrasjes së Liridona Ademajt, ajo tha se me intervenimin e shpejtë të organeve të drejtësisë, qytetarëve iu është rritur ndjenja e shpresës dhe besimit në institucione.
“Hajnat nëse i marrim, ata thjeshtë ekzistojnë edhe kriminelët e tjerë ekzistojnë edhe nuk nënkupton që ndonjë hajn ka probleme të shëndetit mendor. Kështu që Ligji vlen për të gjithë, Ligji duhet me qenë aty për t’i mbrojtur viktimat, sepse e pamë në rastin e fundit kur organet e drejtësisë e marrin situatën nën kontroll, të gjithë ne e rritëm ndjenjën e shpresës edhe të besimit, përkundër frikës që përjetuam secili prej neve, sepse secili kemi fëmijë, familjarë, vëlla motër, edhe patëm një ndjenjë të frikës që mund të na ndodh gjithsecilit, por kur organet reaguan me shpejtësi, të gjithë ne e përjetuam një ndjenjë të çlirimit, një ndjenjë shprese në institucione”, tha Qenaj – Sejdiu. /atvlive.tv