Prokuroria tërhiqet nga dëshmia e Ismet Tarës: Çka ndodhi në seancën e tensionuar?

Prokuroria e Specializuar në Hagë është tërhequr nga dëshmia e komandantit të UÇK-së, Ismet Tara.

Kjo pasi Tara refuzoi të dëshmonte, pa iu shfaqur një dokument të cilin e kërkoi nga mëngjesi.

Ky dokument, sipas Tarës, kishte gabime nga “hetues kriminelë” të cilët ia rrezikuan jetën, raporton Nacionale.

“Nuk besoj që dëshmitari do të përgjigjet, andaj kërkoj të pranohen deklaratat e kaluara që i ka dhënë”, tha prokurorja.

Mbrojtja e Veselit dhe Thaçit theksuan se kjo është shkelje, pasi që të akuzuarit nuk kanë mundësi të ballafaqojnë dëshmitarin.

Gjykatësi e ka paralajmëruar Tarën se mund të gjobitet nëse nuk përgjigjet, por që Tarës nuk iu bë vonë.

“Pa e parë atë dokumentin nuk flas më. Edhe po të vritem nuk flas më”, tha Tara.

“Përgjigjet i kam dhënë 2019, i qëndroj prapa. Pa u shqyrtuar ky dokument unë nuk flas. Unë do të flas pas shqyrtimit të këtij problemi tim, pasi ka rrezikuar nderin tim kombëtar, dhe familjen time 10-anëtarëshe. Do t’i dëgjoni të gjitha përgjigjet, pas shqyrtimit të këtij problemi”, tha dëshmitari Tara në Hagë, raporton Nacionale.

Ai i ka quajtur hetuesit kriminelë, ata të cilët e kanë intervistuar në vitin 2019.

“E kam bërë se unë jam në gjendje të përgjigjem në çdo pyetje, por hapjes së këtij dokumenti. Se çka kanë bërë ish-hetuesit e mi, që unë i quaj kriminelë hetues. Më kanë shpallur tradhtarë të kombit me një dokument që nuk e kam lexuar, nënshkruar dhe kurrë nuk është më paraqitur”, tha dëshmitari Tara.

“Unë nuk flas më, mos bëni pyetje. Dua dokumentin që të bëhet i ditur për popullin tim se çka po punohet në këtë gjykatë”, tha Tara.

Pasi një dokument u publikua, Tara tha se është mashtruar dhe nuk është lojë.

“Ma keni ndërruar dokumentin, nuk është ai që kam lexuar. Dokumenti është nënshkruar prej intervistuesve të mi, pa dijeninë time, pa më njoftuar. Nuk i besoj kësaj Gjykate. Këtë dokument keni provuar ta ndryshoni. Nuk i besoj asgjë më kësaj Gjykate, nuk flas asgjë. Më kanë paraqitur si tradhtarë të Kosovës, ky është dokument që kurrë nuk ma keni paraqitur. Nuk ma keni dhënë as numrin, dhe kam dyshuar se ky dokument është humbur, nëse nuk paraqitet para meje. Nuk jam këtu lojë, kam bërë luftë çlirimtare për popullin tim. Nuk kam lojë, nuk i frikësohem askujt”, tha dëshmitari Tara.

Gjyqtari e paralajmëroi edhe për masa të tjera.

“Nëse ti refuzon, ka procedura të tjera, dhe kështu të pranohet edhe ai dokumenti. Është në favorin tuaj, të vazhdojmë me pyetjet dhe ta diskutojmë dokumentin për të cilin keni shqetësime. Nëse ti refuzon të përgjigjesh, atë dokument do ta pranojë trupi gjykues pa komentuar ti”, tha gjyqtari Smith.

PUBLIKIMET E FUNDIT

TË NGJASHME

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here