Bllokada në Kuvendin e Kosovës, pas dështimit të 40 seancave për konstituimin e institucioneve ka lënë vendin pa një legjislaturë funksionale që prej mbajtjes së zgjedhjeve.
Në përballje me ngërçin politik, Presidentja Vjosa Osmani ka thirrur një takim me përfaqësuesit e partive politike, me synimin për të gjetur një zgjidhje.
Partitë opozitare akuzojnë Lëvizjen “Vetëvendosje” se po zvarrit me qëllim konstituimin e Kuvendit për të vazhduar qeverisjen në detyrë pa kontroll institucional, derisa nga ana tjetër, VV këmbëngul se po respekton procedurat dhe akuzon opozitën për mungesë vullneti.
Thirrja e Presidentes për dialog ka pasur përgjigje pozitive, ku të gjitha partitë kanë konfirmuar pjesëmarrjen, derisa nuk presin ndonjë hap pozitiv as pas takimit.
Deputeti i Lëvizjes “Vetëvendosje”, Salih Zyba, ka folur lidhur me ftesën e Presidentes Vjosa Osmani për një takim me partitë politike lidhur me ngërçin në Kuvend.
Zyba ka kërkuar nga subjektet e tjera politike që të reflektojnë dhe të përmbushin obligimet shtetërore.
“Unë kam kërkesë për partitë e tjera që të reflektojnë për të përfunduar obligimet shtetërore. Duhet të marrin pjesë edhe në takim me presidenten edhe të votojnë në Kuvend se e kanë obligim”, u shpreh Zyba.
Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Kosovare Murseli, ka akuzuar Lëvizjen “Vetëvendosje” se po zvarrit me qëllim konstituimin e Kuvendit.
Sipas saj, kjo nuk është një vonesë teknike por një strategji për të qëndruar në pushtet pa kontroll institucional.
“Nuk besoj që Kuvendi do të konstituohet deri në gusht, dhe kjo nuk është as aksident, as vonesë teknike. Është skenar i qëllimshëm i Vetëvendosjes, sepse u konvenon të mbeten në qeveri në detyrë, ku qeverisin pa kontroll, pa llogaridhënie dhe jashtë çdo norme demokratike. Po e mbajnë peng shtetin për interesa të pushtetit, andaj nuk mund të mohoj që situata është delikate dhe potencialisht e rrezikshme për vendin”, është shprehur ajo për Front Online.
Nga Lidhja Demokratike e Kosovës, deputeti, Armend Zemaj ka deklaruar për “Front Online” se kjo parti do të marr pjesë në takimin e thirrur me Presidenten Vjosa Osmani.
Zemaj shprehet se deri pas këtij takimi nuk ka ndonjë pritshmëri.
“LDK do të marr pjesë në takim me Presidenten dhe Presidentja është në rolin e saj kushtetues, pritshmëritë dalin nga takimi, njëherë s’mund të theksoj diçka”, theksoi Zemaj.
Time Kadrijaj, deputetja nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës ka kërkuar nga Presidentja Vjosa Osmani të ketë rol më aktiv pas bllokadës politike në vend.
Tutje, ajo thotë se AAK do të jetë prezent në këtë takim.
“Duhet të marrë rol më shumë presidentja, por duhet të jetë tepër e qartë dhe e saktë, sepse ne po e shohim që VV po e interpreton aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese ashtu siç do vetë. Ne do t’i përgjigjemi ftesës”, tha Kadrijaj për “Front Online”.