Tel Avivi dhe qytete të tjera izraelite u përfshinë të dielën nga një valë protestash masive, të cilat konsiderohen ndër më të mëdhatë që nga fillimi i luftës në Gaza. Dhjetëra mijëra njerëz dolën në sheshe e rrugë, duke bërë thirrje për lirimin e pengjeve të mbajtura nga Hamas dhe për një marrëveshje që t’i japë fund përplasjes së përgjakshme që ka nisur pas sulmit të 7 tetorit 2023.
Tubimet u organizuan nga “Këshilli i Tetorit” dhe “Forumi i familjeve të pengjeve”, organizata që përfaqësojnë familjarët e pengjeve dhe viktimave të sulmit të Hamas. Ato e quajtën këtë nismë “Një ditë për të shpëtuar jetë” dhe mobilizuan qytetarë në mbarë vendin. Vetëm në Tel Aviv, në “Sheshin e Pengjeve” dhe rrugët përreth, organizatorët deklarojnë se janë mbledhur rreth 500 mijë persona. Në nivel kombëtar, pjesëmarrja sipas tyre mund të ketë arritur deri në një milion protestues.
More than 200K Israelis (according to the organizers) protested tonight in Tel Aviv, calling for a deal for the release of the hostages and ending the war in Gaza (Video: Yair Palti) pic.twitter.com/qs9o65CMzx
— Barak Ravid (@BarakRavid) August 17, 2025
Protestuesit mbanin pankarta dhe flamuj izraelitë, duke kërkuar me zë të lartë që qeveria të arrijë sa më shpejt një marrëveshje për lirimin e pengjeve. “E gjithë shoqëria izraelite po flet me një zë të vetëm: duam lirimin e pengjeve dhe fundin e luftës,” thuhet në një deklaratë të Forumit të Familjeve të Pengjeve.
Në Jeruzalem, qindra demonstrues bllokuan trafikun në një nga arteriet kryesore të kryeqytetit, autostradën Begin. Policia ndërhyri me topa uji për t’i shpërndarë turmat, por protestat vazhduan në forma të ndryshme edhe në dhjetëra qytete të tjera.
Një mesazh i fortë ndaj qeverisë
Tubimet masive përbëjnë një presion të shtuar ndaj kryeministrit Benjamin Netanyahu, i cili ndodhet nën kritika të vazhdueshme për mënyrën si po menaxhon luftën dhe negociatat për pengjet. Organizatorët theksojnë se nuk ka më kohë për të humbur dhe se çdo ditë vonesë mund të kushtojë jetë njerëzish.
Që prej 7 tetorit, kur militantët e Hamas kryen sulmin më të rëndë në historinë e Izraelit, duke shkaktuar mbi një mijë viktima dhe duke marrë dhjetëra pengje, familjet e tyre jetojnë në pasiguri e ankth. Shumë prej tyre janë angazhuar në protesta të vazhdueshme, por kjo e fundit konsiderohet si më e madhja deri më sot.
Një vend në tension
Shifrat e larta të pjesëmarrjes, rreth gjysmë milioni vetëm në Tel Aviv sipas organizatorëve, megjithëse ende pa konfirmim zyrtar, tregojnë për një pakënaqësi të thellë shoqërore. Izraelitët kërkojnë jo vetëm një marrëveshje për pengjet, por edhe një qasje të re ndaj konfliktit me Hamas, që ka shkaktuar mijëra viktima edhe në Gaza dhe ka thelluar izolimin e Izraelit në arenën ndërkombëtare.
“Ne nuk duam më luftë pa fund. Ne duam paqe, duam kthimin e pengjeve, duam siguri për fëmijët tanë,” tha një nga protestuesit në Tel Aviv për median vendase. /Pamfleti