Gjatë natës, Forcat Ajrore të Polonisë ngritën në ajër avionët luftarakë dhe vendosën sistemet tokësore të mbrojtjes ajrore në gatishmëri të plotë, si reagim ndaj një vale të re sulmesh ruse kundër objektivave në territorin ukrainas. Lajmi u konfirmua nga Komanda Operacionale e Forcave të Armatosura Polake, e cila theksoi se masat u morën për shkak të sulmit të Federatës Ruse ndaj objektivave të vendosura në territorin ukrainas.
Sipas njoftimit të Komandës Operacionale të Forcave të Armatosura Polake, “u dërguan çifte avionësh luftarakë”, ndërsa sistemet e zbulimit me radar u aktivizuan në nivel maksimal alarmi. Për të garantuar lirinë e operimit të aviacionit ushtarak, Polonia mbylli përkohësisht aeroportet e Rzeszóë dhe Lublin, një masë e bërë e ditur nga Agjencia Polake e Shërbimeve të Navigimit Ajror.
Varshava kishte paralajmëruar më herët se ishte e përgatitur të ngrinte në ajër avionët e saj për të mbrojtur hapësirën ajrore dhe kufirin lindor, sidomos pas intensifikimit të sulmeve të fundit ruse në Ukrainë.
Ndërkohë, Ministria ruse e Mbrojtjes konfirmoi se forcat ukrainase u përpoqën të godasin objektiva në qytetin e Voronezhit me raketa amerikane Atacms. Sipas autoriteteve ruse, të katër raketat u interceptuan nga sistemet S-400 dhe Pantsir, pa shkaktuar viktima. Megjithatë, mbetjet e tyre shkaktuan dëme materiale në disa ndërtesa, përfshirë një qendër gjerontologjie, një jetimore dhe një banesë private.
Edhe në Ukrainë, situata mbeti e tensionuar. Qyteti i Kharkivit u sulmua rëndë gjatë natës me dronë rusë, duke lënë mbi 30 të plagosur, mes tyre dy të mitur. Zjarre të shumta shpërthyen në disa zona të qytetit. Ministria e Energjisë njoftoi ndërprerje të energjisë në disa rajone, për shkak të një sulmi masiv me dronë dhe raketa lundrimi që synuan infrastrukturën energjetike. Ekipet e shpëtimit do të nisin riparimet sapo të lejojnë kushtet e sigurisë, ndërsa ndërprerjet pritet të hiqen me stabilizimin e sistemit energjetik.
