Që nga mëngjesi, në oborrin e manastirit të Graçanicës janë mbledhur dhjetëra serbë, të cilët shkuan për të marrë pjesë në liturgji me rastin e Vidovdanit.
Policia e Kosovës, e cila tha ka marrë masat e nevojshme për menaxhimin e situatës së sigurisë gjatë këtij manifestimi, ka shtuar praninë e saj në Graçanicë.
Në hyrje të kësaj komune janë parë edhe Njësi Speciale të Policisë së Kosovës.
Ndërkaq, rreth Manastirit të Graçanicës është devijuar rruga dhe s’lejohet kalimi i veturave nëpër qendër. Për këto lëvizje në trafik, policia ka paralajmëruar qysh dje.
“Po ashtu, me rastin e bllokimit të përkohshëm apo riorientimit të mundshëm të trafikut, Policia e Kosovës kërkon mirëkuptim të plotë nga ana e qytetarëve, pjesëmarrësve në trafik”, u tha në komunikatën e policisë për këtë ngjarje.
Mediumi lokal në gjuhën serbe “Radio Kim”, që raportoi nga vendi i ngjarjes, tha se në terren janë të pranishme edhe forca të shtuara të Policisë së Kosovës, si dhe pjesëtarë të KFOR-it që janë vendosur në disa automjete në disa vende në Graçanicë.
Po ashtu, policia sot ka ndaluar organizatori i një grupi pelegrinazhi nga Beograd, V.P.
Grupi që ai drejtonte mbante bluza të kuqe, blu dhe të bardha me mbishkrimin – “Serbia e Bashkuar” përpara manastirit.
V.P. u ndalua pasi u identifikua, në prani të pjesëtarëve të KFOR-it dhe Inspektoratit të Policisë, sipas Radio Kim.