Policët e rinj, 445 sish, që kanë diplomuar në prill të këtij viti, në muajin maj janë paguar vetëm nga 200 euro. Ata janë ankuar duke thënë se kjo pagë nuk ka qenë e mjaftueshme as për një javë. Sipas policisë, ka ndodhur një problem teknik dhe mjetet do të kompensohen.
Gjenerata e 59 e Policisë së Kosovës ishte e fundit që diplomoi në prill të 2024-s. Kontratat me institucionin e Policisë i kanë nënshkruar me datë 16 prill. Si rrjedhojë ata kanë kaluar nga pozita e kadetit në policë të rinj.
Mirëpo, policët e rinj pagën në muajin maj nuk e kanë marr si të tillë. Të paktën kështu thonë disa nga ta që ankesat i kanë drejtuar në adresë të TV Dukagjinit.
“Përshëndetje, jam polic i ri. Kisha dashtë me mbet anonim. Prej kur kemi filluar punën qe një muaj menjëherë kemi fillu me ndërrime, me koeficient 4.5. Sot paga na është ekzekutuar 200 euro. Besoj që duhet të bëhet mediatike se kjo është shkelje e ligjit dhe skandal. Ju faleminderit për mirëkuptim”, ka deklaruar një zyrtar policor (anonim).
Përshëndetje, nëse keni mundësi me kontaktu me Ministrinë e Financave pse pagat për policët e rinj që kanë diplomuar dhe nënshkruar kontratë me datë 16.04.2024 si zyrtar policor me koeficient 4.5 në muajin maj pagat ju dalin si kadet, paga 203 euro”, ka deklaruar një tjetër zyrtar policor (anonim).
Ka të tillë që janë ankuar se shuma e ekzekutuar nuk i ka mjaftuar as për një javë.
“200 euro i ka dal paga krejt grupit tonë. Po na duket absurd sepse brenda një jave është harxhu paga. Nuk po e kuptoj pse ka ndodhë një gjë e tillë”, ka deklaruar një polic tjetër, (anonim).
Shtojca numër 5 e Ligjit të Pagave specifikon qartazi koeficientin në bazë të cilit duhet të paguhen zyrtarët policorë me pozitat e tyre të caktuara.
Në bazë të saj, kadetët kanë koeficientin 2 ndërsa policët e rinj 4.5 apo në të holla i bie 555 euro bruto.
Në këtë rast, në muajin maj policët e rinj janë paguar 335 euro bruto më pak se sa parasheh ligji.
Televizioni ka komunikuar jozyrtarisht me zyrtar policorë dhe të njëjtit kanë thënë se ka ndodhur një problem teknik dhe mjetet do të kompensohen në muajt në vazhdim.
Në ndërkohë, ministria që bën transferin e mjeteve, ajo e Financave, tha se përgjegjësia kalon tek Ministria e Punëve të Brendshme, të cilët nuk i janë përgjigjur televizionit në pyetjet e dërguara në adresën zyrtare.