Duke dëshmuar para një komisioni të Senatit, Pete Hegseth pranoi se ishte gati të zbatonte çdo urdhër të presidentit ndaj Iranit.
Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth, tha se ushtria amerikane është e gatshme të zbatojë çdo vendim që presidenti Donald Trump mund të marrë për Iranin.
Duke dëshmuar para një komisioni të Senatit, Pete Hegseth pranoi se ishte gati të zbatonte çdo urdhër të presidentit ndaj Iranit dhe e paralajmëroi Teheranin se duhej t’i kishte kushtuar vëmendje thirrjeve të presidentit amerikan për të arritur një marrëveshje mbi programin e tij bërthamor.
“Ata duhet të kishin bërë një marrëveshje. Fjala e Presidentit Trump do të thotë diçka. Bota e kupton këtë. Dhe në Departamentin e Mbrojtjes, puna jonë është të qëndrojmë të gatshëm dhe të përgatitur me opsione, dhe kjo është pikërisht ajo që po bëjmë”, tha Hegseth.
Hegseth u pyet në Komitetin e Shërbimeve të Armatosura të Senatit nëse administrata Trump po lëvizte për të rivendosur parandalimin, një term i përdorur për të përshkruar veprimet që synojnë të kufizojnë një kundërshtar nga ndërmarrja e veprimeve armiqësore.
Ai deklaroi se një hap i tillë është ndërmarrë tashmë dhe se po punohet për të parashikuar se si mund të zhvillohet situata në orët dhe ditët në vijim.
“Mendoj se ne tashmë e kemi rivendosur në shumë mënyra parandalimin në këtë mjedis. Pyetja është, në ditët në vijim, se në çfarë drejtimi shkon kjo”, tha Hegseth.
Më herët sot, Trump refuzoi t’u përgjigjej pyetjeve të gazetarëve nëse SHBA-ja po planifikonte të sulmonte Iranin ose objektet e tij bërthamore dhe tha se iranianët e kishin kontaktuar, por se tani ishte shumë vonë për të folur.
“Ka një ndryshim të madh midis tani dhe një jave më parë. Askush nuk e di se çfarë do të bëj”, u tha Trump gazetarëve jashtë Shtëpisë së Bardhë.
Një burim i njohur me diskutimet e brendshme tha se Trump dhe ekipi i tij po shqyrtonin mundësi që përfshinin bashkimin me Izraelin në sulmet kundër centraleve bërthamore iraniane.
Megjithatë, udhëheqësi suprem iranian, Ajatollah Ali Khamenei, e ka hedhur poshtë kërkesën e Trump për dorëzim pa kushte. Mbetet për t’u parë se si do të zhvillohet më tej ky konflikt dhe nëse SHBA-ja do të përfshihet në një tjetër luftë në Lindjen e Mesme./Pamfleti