Rreth orëve të para të mëngjesit së hënës, më 20 nëntor 1979, me diellin që sapo ngrihej, Juhajman Al Otaibi, i shoqëruar nga rreth 500 burra, u fut me forcë në Xhaminë e Madhe të Mekës.
Brenda dhe rreth xhamisë ndodheshin nga 50.000 deri në 100.000 besimtarë, të cilët festonin vitin e ri mysliman 1400 dhe kishin ardhur për t’u falur.
Rojet e xhamisë u neutralizuan menjëherë nga njerëzit e Al Otaibit. Ata vendosën në qendër të oborrit disa arkivole të mbyllura, një praktikë tradicionale për të kërkuar bekime për të vdekurit së fundmi, më pas shtynë imamin dhe i morën mikrofonin.
Rrethimi i Mekës sapo kishte nisur. Do të zgjaste 15 ditë dhe do të përfundonte me një masakër dhe një numër ende të paqartë viktimash.
Fillimisht, besimtarët nuk e kuptonin çfarë po ndodhte. Ndërkohë, njerëzit e Otaibit hapën arkivolet, të cilat ishin të mbushura me armë automatike, pistoleta dhe pushkë, të cilat u shpërndanë me shpejtësi. Luftëtarët u pozicionuan në çdo cep të oborrit dhe në minaret e xhamisë, ndërsa Al Otaibi i urdhëroi të qëllonin çdo person që do të përpiqej të hapte portat.
Kur nisi të fliste, mijëra myslimanë e dëgjuan të shpallte se kunati i tij, Mohammed Abdullah Al Qahtani, ishte i dërguari i Zotit, “Mahdiu”, siç përshkruhet në Kuran, i ardhur në tokë para Ditës së Gjykimit për të zhdukur të keqen. Dhe sipas tij, e keqja ishte shtëpia mbretërore e Saudëve, të cilën e akuzonte për korrupsion dhe perëndimorizimin e Arabisë Saudite.
Lajmet mbërritën me shpejtësi në Riad, duke e gjetur familjen mbretërore plotësisht të papërgatitur për sulmin në vendin më të shenjtë të myslimanëve. Fillimisht mbretëria u përfshi nga konfuzioni, pasi informacionet ishin të paqarta. Vetëm pas disa orësh shërbimet sekrete arritën të ofronin një pasqyrë më të saktë. Goditja ishte e rëndë për Saudët, të cilët madje fillimisht akuzuan Iranin, pa asnjë provë, për orkestrimin e sulmit.
Në fakt, sulmuesit vinin nga Arabia Saudite, Egjipti, Kanadaja dhe SHBA, dhe dukeshin të vendosur për të shkuar deri në fund, ndërsa autoritetet saudite përgatiteshin për rimarrjen me forcë të xhamisë.
Por kishte një pengesë madhore: sipas traditës islame, askush nuk mund të mbante armë brenda Xhamisë së Shenjtë. Për këtë arsye, u kërkua dhe u miratua një fetva e posaçme nga autoriteti fetar më i lartë i vendit, që të lejonte ndërhyrjen e armatosur.
Forcat saudite hasën rezistencë të fortë. Sulmuesit arritën të zmbrapsnin tre sulmet ndaj tri portave kryesore të xhamisë, ndërsa snajperët e pozicionuar në minare godisnin lehtësisht çdo person që ngrinte kokën. Ajo që pritej të mbyllej brenda pak orësh, u shndërrua në një betejë të ashpër ditore, me Otaibin dhe grupin e tij gjithmonë të përgatitur.
Rezistenca u thye vetëm më 4 dhjetor, falë ndihmës së komandove franceze dhe forcave speciale nga Pakistani. Bilanci i sulmuesve ishte 117 të vrarë dhe një numër i panjohur i plagosurish. Forcat saudite pësuan 127 të vrarë dhe 451 të plagosur. Megjithatë, një katastrofë edhe më e madhe u shmang, pasi rebelët vendosën të lirojnë mijëra besimtarë që ishin brenda xhamisë.
Nga 63 të arrestuarit, mes tyre edhe vetë Al Otaibi, të gjithë u gjykuan me procedura të përshpejtuara, u shpallën fajtorë dhe u ekzekutuan me varje më 9 janar 1980, në nëntë qytete të ndryshme të Arabisë Saudite.
Burime perëndimore kanë raportuar se numri i vërtetë i viktimave ishte shumë më i lartë, por u mbajt i fshehtë, një praktikë e zakonshme në një mbretëri të njohur për sekretin e lartë rreth çështjeve të brendshme./Protothema/
