Përvjetori i 27-të i bombardimeve të NATO-s kundër caqeve ushtarake serbe

Sot shënohet përvjetori i 27-të i nisjes së bombardimeve të NATO-s mbi caqet ushtarake dhe policore serbe në ish-Jugosllavi për të ndalur dhunën e forcave serbe kundër shqiptarëve në Kosovë.

Bombardimet nisën më 24 mars 1999 dhe zgjatën 78 ditë. Ato nisën pas përpjekjeve të dështuara të komunitetit ndërkombëtar për ta bindur ish-liderin serb, Sllobodan Millosheviq për një armëpushim.

“Nëse presidenti [jugosllav Sllobodan] Millosheviq nuk është i gatshëm të bëjë paqe, ne jemi të gatshëm t’i kufizojmë aftësitë e tij për të bërë luftë kundër kosovarëve”, pati thënë presidenti i atëhershëm amerikan, Bill Clinton.

Më pas, ishte Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Javier Solana, i cili i autorizoi sulmet ajrore.

Kjo fushatë përbënte herën e parë që NATO-ja e përdorte forcën ushtarake pa miratimin e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.

Fushata përfshiu rreth 1.000 avionë që operuan nga bazat ajrore në Itali dhe Gjermani, si dhe aeroplanmbajtësen e vendosur në Detin Adriatik, USS Theodore Roosevelt.

Avionët kryen mbi 38.000 fluturime – prej të cilave 10.484 fluturime sulmuese – pa asnjë fatalitet në mesin e aleatëve.

Video nga Inteligjenca n'3D - mos e humbisni:

PUBLIKIMET E FUNDIT

TË NGJASHME