Izraeli shpenzoi disa vjet duke u përgatitur për operacionin kundër programeve bërthamore dhe raketore të Iranit, i tha një zyrtar izraelit i sigurisë gazetës “The Times of Israel”.
Në këto përgatitje ishin përfshirë ndërtimi i një baze të dronëve brenda Iranit dhe trafikimi i sistemeve të armëve precize e komandove në këtë shtet.
Operacioni u organizua në bashkëpunim të ngushtë mes ushtrisë izraelite dhe agjencisë së inteligjencës, Mossad, shkruan gazeta izraelite në gjuhën angleze.
Sipas zyrtarit izraelit, agjentët e Mossadit ndërtuan një bazë dronësh në territorin iranian afër Teheranit. Dronët u aktivizuan gjatë natës, duke goditur raketahedhës tokë – tokë, të cilët ishin drejtuar kah Izraeli.
Për më tepër, si pjesë e operacionit ishte edhe trafikimi i automjeteve që bartnin sisteme armësh. Me to u goditën sistemet iraniane të mbrojtjes ajrore dhe iu mundësua superioritet dhe liri e veprimit aeroplanëve izraelit mbi territorin e Iranit.
Elementi i tretë sekret ishte dislokimi i raketave precize afër sistemeve kundërajrore në pjesën qendrore të Iranit nga komandot e Mossadit, transmeton gazeta “Nacionale”.
Operacionet u mbështetën në “të menduarit novator, planifikimin e guximshëm dhe operimin preciz të teknologjive të avancuara, forcat speciale dhe agjentët që operuan në zemër të Iranit, ndërkohë duke iu shmangur tërësisht syve të inteligjencës lokale”, shtoi zyrtari izraelit.
Raportohet se nga sulmet izraelite janë vrarë komandantë të lartë të ushtrisë iraniane dhe disa shkencëtarë bërthamorë. Irani është zotuar për hakmarrje.