Dy pasagjerë janë arrestuar pasi u përpoqën të ndiqnin aeroplanin e tyre në pistë, pasi kishin humbur fluturimin në Gjermani.
Sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, dy burrat, të moshës 28 dhe 47 vjeç, u panë duke vrapuar nëpër pistën e aeroportit të Këlnit, Bonit, të premten në një përpjekje për të kapur një fluturim të Wizz Air.
Aeroplani, me destinacion Rumaninë, u pa me drita të kuqe të ndezura dhe motorë të ndezur, duke treguar se ishte në mes të nisjes së tij në orën 21:30.
Por dy burrat duket se i bënë sinjal pilotit se donin të hipnin në aeroplan.
Ndërkohë një punonjës i aeroportit u pa duke iu afruar burrave dhe duke ndërhyrë.
Pavarësisht vonesës, aeroplani arriti të ngrihej vetëm disa minuta më vonë dhe përfundoi duke u ulur përpara afatit në Bukuresht.
Policët gjermanë thanë se porta, B70, ishte mbyllur tashmë. Ata pretenduan se dy burrat thyen xhamin e një alarmi emergjence në orën 21:33 dhe shtypën një buton për të hapur derën e pistës.
Ndërsa zëdhënësi i policisë federale, Oliver Hünewinckell, i tha gazetës Bild: “Kundër burrave janë ngritur akuza penale për hyrje pa leje; një shkelje e Aktit të Sigurisë Ajrore është ende duke u hetuar”.
Një zëdhënës i aeroportit të Këlnit, Bonnit, i tha gazetës: “Mund të konfirmojmë se të premten në mbrëmje, dy pasagjerë fituan qasje të paautorizuar në platformë përmes një daljeje emergjente pasi kaluan kontrollin e sigurisë”.
“Të dy u kapën nga stafi i aeroportit dhe iu dorëzuan Policisë Federale. Aeroporti i Këlnit/Bonit ka filluar procedurat ligjore”.
“Siguria e aviacionit në aeroport nuk u kompromentua kurrë dhe operacionet e fluturimit nuk u prekën”.
