Ministri në detyrë i Bujqësisë, Faton Peci, ka reaguar pas intervistimit nga Njësia e Veçantë Hetimore e Policisë së Kosovës pas disa bastisjeve të kryera dje me kërkesë të Prokurorisë Speciale.
Ai shkroi në Facebook me theks te ata që e kanë votuar në zgjedhjet e fundit parlamentare, duke thënë se është i bindur që epilogu i këtij procesi do të jetë “i njohur” për ta.
“Të dashur qytetarë, miq e familjarë; U jam mirënjohës për shprehjen e shqetësimit si dhe për solidaritetin e treguar gjatë ditës së djeshme, me rastin e intervistimit tim nga organet e rendit dhe drejtësisë”.
“Me theks të vecantë, ju drejtohem 133,987 qytetarëve që më kanë dhuruar gjënë më të shenjtë; besimin! Jam i bindur që epilogu i këtij procesi do të jetë i njohur për ju sikurse është i njohur për rreth 30 mijë fermerë, që përfitojnë në baza vjetore subvencione dhe grante e që njëherit janë dëshmitarët më të vëmendshëm në cdo cep të Kosovës. Ata, më së miri e dinë se në funksion të kujt, e kam kryer detyrën zyrtare”, shkroi Peci.
Ministri në detyrë tha se “çdo shkronjë, fjalë, si në të shkruar ashtu edhe e thënë, është e qasshme për secilin që ka interesim”.
“Kosova, si vend i bekuar ka një popull të mrekullueshëm, e mbi qiellin e kësaj toke e këtij populli, ka Zot!”, shkroi ai në fund të postimit.
Intervistimi i Pecit dhe bastisjet e kryera në Ministrinë e Bujqësisë, Agjencinë për Zhvillimin e Bujqësisë dhe Agjencinë e Veterinarisë, u bënë në kuadër të një aksioni të ndërmarrë lidhur me dyshimet që kanë të bëjnë me një fabrikë për mbetjet shtazore.
Peci dyshohet se pa ankand publik, ia ka dhënë kompanisë “LIP KS & IT SH.P.K” me qira për 20 vjet impiantin publik për mbetjet shtazore.
Prokurori Admir Shala ka treguar se bastisjet ishin pjesë e një hetimi që lidhet me mënyrën e dhënies me qira të kësaj fabrike.
“Siç e dini, Prokuroria Speciale e Kosovës ka filluar një hetim lidhur me dhënien në shfrytëzim të fabrikës për përpunimin e nënprodukteve shtazore. Hetimi është duke u zhvilluar në lidhje me dyshimet për dhënien me qira të kësaj fabrike”.
Kompania përfituese u regjistrua vetëm 5 ditë pas publikimit të thirrjes së dytë për aplikim për kontratën për funksionalizimin e fabrikës dhe për përpunimin e nënprodukteve shtazore. Pronari i saj del të ketë lidhje me tri kompani të tjera, pa ndonjë përvojë në këtë fushë. Themelues aksionarë të kësaj kompanie ishin kompani të tjera me adresë deri në Beograd të Serbisë.