Një takim mes kreut të PDK-së, Bedri Hamza e atij të LVV-së, Albin Kurti, është përfolur se është mbajtur këto ditë, me temë diskutimi – dialogun mes dy partive për zgjedhjen e presidentit.
Megjithatë, një takim i tillë është mohuar nga Partia Demokratike e Kosovës.
Burimet brenda PDK-së kanë bërë të ditur se nuk ka pasur asnjë takim mes liderit të PDK-së dhe kryetarit të LVV-së, dhe se gjithçka është spekulim.
“Nuk ka pasur asnjë takim në mes të kryetarit Hamza dhe kryeministrit në detyrë, Kurti. Është gjithçka spekulim dhe nuk merremi me to”, kanë thënë burimet brenda PDK-së për KlanKosovën.
Lëvizja Vetëvendosje ka dalë fituese e zgjedhjeve të 28 dhjetorit me 51.10 për qind të votave të fituara, mirëpo zgjedhja e presidentit, mandati i të cilit skadon në mars të këtij vitit, është i pamundur për LVV-në.
Partitë opozitore kanë kërkuar vetëm marrëveshje për zgjedhjen e presidentit, por deri më tani nuk ka hapa konkrete për zgjedhjen e një konsensusi të përbashkët për mundësinë e zgjedhjes së presidentit të ri.
