Pas OKB-së, edhe ShBA-ja e Britania ia heqin sanksionet presidentit sirian Al-Sharaa

Shtetet e Bashkuara dhe Britania e Madhe të premten ia hoqën sanksionet presidentit të Sirisë, Ahmad al-Sharaa, një ditë pasi të njëjtin veprim e ndërmori edhe Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara, pak para takimit të presidentit sirian javën e ardhshme në Shtëpinë e Bardhë me homologun amerikan, Donald Trump. Edhe Bashkimi Evropian ka konfirmuar se do të veprojë njësoj.

Uashingtoni dhe Londra ia hoqën sanksionet edhe ministrit të Punëve të Brendshme të Sirisë, Anas Khattab, sipas njoftimeve të publikuara në uebfaqet e tyre, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.

Dy zyrtarët e lartë sirianë më parë kishin qenë subjekt i sanksioneve që në shënjestër i kishin grupet ISIS dhe al Qaeda.

Një zëdhënës i Bashkimit Evropian tha të premten se vendimi i Kombeve të Bashkuara do të pasqyrohet edhe në masat e BE-së.

Britania hoqi disa sanksione ndaj Sirisë në prill, ndërsa BE-ja i hoqi sanksionet ekonomike në maj, por masat që lidhen me armët dhe sigurinë mbeten në fuqi.

“Ne mbetemi të përkushtuar ndaj mbështetjes së një tranzicioni paqësor e gjithëpërfshirës të udhëhequr nga Siria e në pronësi të Sirisë për ta ndihmuar ndërtimin e një të ardhmeje më të mirë për të gjithë sirianët” – tha një zëdhënës i Komisionit Evropian.

Presidenti amerikan pritet të takohet me Al-Sharaan të hënën në Shtëpinë e Bardhë, e para vizitë e tillë nga një udhëheqës sirian.

Trumpi ka synuar marrëdhënie të mira me Sirinë. Në qershor, ai i shfuqizoi shumicën e sanksioneve kundër këtij shteti, ndërsa në maj u takua në Arabinë Saudite me homologun që do ta presë të hënën në Uashington.

Video nga Inteligjenca n'3D - mos e humbisni:

PUBLIKIMET E FUNDIT

TË NGJASHME