Pas 14 muajsh luftime, nis armëpushimi mes Izraelit dhe Hezbollahut

Izraeli dhe militantët e Hezbollahut në Liban filluan një armëpushim të mërkurën, në një hap të rëndësishëm drejt përfundimit të luftimeve që kishin nisur gati 14 muaj më parë.

Disa të shtëna festive u dëgjuan në pjesë të periferisë jugore të Beirutit, pjesë që ishte goditur rëndë gjatë dy muajve të fundit të luftimeve. Por, nuk është raportuar për shkelje të armëpushimit.

Pas fillimit të armëpushimit në orën 4 të mëngjesit, sipas kohës lokale, ushtria izraelite paralajmëroi civilët që të mos ktheheshin ende në shtëpitë e tyre në Libanin jugor dhe të mos u afroheshin pozicioneve izraelite.

Megjithatë, shumë civilë kaluan në Libanin jugor, duke sfiduar si paralajmërimin izraelit, ashtu edhe apelin e Ushtrisë Libaneze, e cila pritet të dislokohet në atë zonë për të zëvendësuar forcat izraelite.

Hezbollahu, i cili e kontrollon Libanin jugor, është shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara, ndërsa Bashkimi Evropian e ka vendosur në listën e zezë krahun e tij të armatosur, por jo edhe partinë e tij politike.

Izraeli ka deklaruar se do të sulmojë nëse Hezbollahu shkel marrëveshjen, dhe një zëdhënës ushtarak izraelit, në një postim në gjuhën arabe në platformën X, paralajmëroi banorët e evakuuar të Libanit jugor që të mos kthehen ende në shtëpitë e tyre, duke thënë se ushtria mbetet e vendosur atje.

Armëpushimi përfshin fillimisht një ndalim të luftimeve për dy muaj dhe kërkon që Hezbollahu të largojë trupat e armatosura nga Libani jugor, ndërsa trupat izraelite duhet të kthehen në anën e tyre të kufirit.Mijëra trupa të tjera libaneze dhe paqeruajtëse të OKB-së do të dislokohen në jug, ndërsa një panel ndërkombëtar i kryesuar nga Shtetet e Bashkuara do ta monitorojë zbatimin e këtyre procedurave.

Armëpushimi filloi një ditë pasi Izraeli kreu valën e tij më intensive të sulmeve ajrore në Beirut që nga fillimi i konfliktit. Të paktën 42 persona u vranë nga këto sulme, sipas autoriteteve lokale.

Armëpushimi nuk ndikon në luftën në Gazë, ku Hamasi vazhdon të mbajë dhjetëra pengje dhe konflikti është më i ndërlikuar.

Ekzistojnë ende disa mosmarrëveshje lidhur me të drejtën e Izraelit për ta sulmuar Hezbollahun nëse besohet se militantët kanë shkelur marrëveshjen, diçka që kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, insistoi se ishte pjesë e marrëveshjes, por që zyrtarët libanezë dhe të Hezbollahut e kundërshtuan.

Presidenti i SHBA-së, Joe Biden, duke folur në Uashington, e quajti marrëveshjen “lajm i mirë” dhe tha se administrata e tij do të bëjë një përpjekje të re për një armëpushim në Gazë.

Administrata Biden kaloi pjesën më të madhe të këtij viti duke u përpjekur të ndërmjetësonte një armëpushim dhe lirimin e pengjeve në Gazë, por bisedimet ndërpriteshin vazhdimisht. Presidenti i ardhshëm, Donald Trump, ka premtuar të sjellë paqe në Lindjen e Mesme pa sqaruar se si, dhe ekipi i tij e lidhi marrëveshjen me kthimin e afërt të Trumpit në detyrë.

Çdo ndalim i luftimeve në Liban pritet të ulë gjasat për luftë midis Izraelit dhe Iranit, i cili mbështet si Hezbollahun ashtu edhe Hamasin dhe shkëmbeu zjarr të drejtpërdrejtë me Izraelin në dy raste më herët këtë vit.

PUBLIKIMET E FUNDIT

TË NGJASHME

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here