Legjenda e Formula 1, Michael Schumacher i cili u lëndua rëndë në një aksident tronditës gjatë skijimit para 12 vitesh, raportohet se nuk është më i shtrirë në shtrat.Sipas “Daily Mail”, rikuperimi i ngadalshëm i ish-kampionit gjerman 57-vjeçar ka mbetur për vite me radhë një sekret i ruajtur me fanatizëm, i njohur vetëm për familjen e ngushtë dhe një rreth shumë të kufizuar miqsh të besuar.
Raporti shton se Schumacheri është në gjendje të ulet në një karrocë dhe mund të shëtitet brenda pronës së tij luksoze prej 30 milionë funtesh në Mallorca, si dhe në rezidencën e tij prej 50 milionë funtesh në Gland, pranë brigjeve të Liqenit të Gjenevës.Ai kujdeset vazhdimisht nga bashkëshortja e tij Corinna, me të cilën është i martuar prej 30 vitesh, si dhe nga një ekip infermierësh dhe terapistësh që e monitorojnë 24 orë në ditë. Ky kujdes i specializuar, sipas raportimeve, kushton dhjetëra mijëra funte në javë.
Privatësia e Schumacherit konsiderohet absolute. Që nga momenti kur pësoi dëmtime të rënda në tru pasi u përplas me shkëmbinj pranë resortit francez të Meribel, ai është mbajtur larg syrit të publikut.Përpjekjet e disa ish-punonjësve për të shitur fotografi të tij në gjendje të rëndë çuan në dënimin e tyre vitin e kaluar. Ndërkohë, raportimet se ai do të merrte pjesë në martesën e vajzës së tij Gina në vitin 2024 rezultuan të pabazuara.
Për një kohë të gjatë qarkulluan edhe thashetheme se njeriu i cilësuar si sportisti i parë miliarder në botë vuante nga pseudokoma apo sindroma “locked-in”, një gjendje ku pacientët janë të vetëdijshëm, por nuk janë në gjendje të reagojnë, përveçse përmes lëvizjes së syve. Megjithatë, disa burime kanë konfirmuar se edhe kjo tablo e zymtë nuk është e saktë.“Ndjesia është se ai kupton disa nga gjërat që ndodhin rreth tij, por ndoshta jo të gjitha”, ka thënë një burim pranë familjes.
Gjendja e Michael Schumacherit vazhdon të mbetet një temë jashtëzakonisht delikate, ndërsa familja e tij vazhdon ta mbrojë me çdo kusht dinjitetin dhe privatësinë e një prej figurave më të mëdha në historinë e sportit motorik.
