Në një lidhje live për “Now me Erla Mëhillin”, ish-ambasadori Agim Nesho duke komentuar paralajmërimin e Ambasadës amerikane për rrezikun nga grupe të lidhura me Iranin në Shqipëri tha se kjo gjë duhet marrë seriozisht, duke theksuar se kërcënimi është real dhe konkret. Sipas tij, qytetarët shqiptarë, turistët dhe elementët e opozitës iraniane mund të preken, dhe qeveria shqiptare duhet të marrë masa për të siguruar sigurinë e qytetarëve dhe të infrastrukturës kritike.
Nesho nënvizoi gjithashtu se paralajmërimi i SHBA-së nuk është një njoftim standard, por një alarm i mirëmenduar që vjen pas analizave dhe informacionit të ndarë me autoritetet kompetente shqiptare. Ai theksoi se vendet e tjera demokratike të Europës, si Greqia, kanë ndërmarrë masa të ngjashme për të mbrojtur pikat kyçe turistike dhe infrastrukturore, duke e bërë të qartë nevojën për një reagim të menjëhershëm edhe nga autoritetet shqiptare.
“Pa diskutim, ka një rrezik real. Ambasada ka ndarë informacionin me organet kompetente shqiptare dhe e ka studiuar situatën mirë. Nuk është një paralajmërim standard, por një alarm i mirëmenduar për situatën aktuale. Në fakt kemi të bëjmë me një rrezik konkret për arsye se dihet që në datën 24 mars Departamenti i Shtetit ka bërë lajmërimin për gjithë vendet e botës, për qytetarët amerikanë, sidomos ata që ndodhen në Lindjen e Mesme ose udhëtojnë drejt këtij rajoni potencialisht në rrezik. Tani kemi një alertë tjetër, e cila ka të bëjë me diçka konkrete. Qeveria greke ka ngritur në alert ushtrinë e saj për të ruajtur 50 pikat kryesore të turizmit, që mund të përbëjnë rrezik nga elementë të lidhur me Iranin. Kjo ndodh për shkak të tensioneve ndërkombëtare, veçanërisht në lidhje me sigurinë e transportit të naftës dhe gazit në Gjirin e Ormuzit,” shtoi Nesho.
Ish-ambasadori theksoi gjithashtu se rreziku nuk kufizohet vetëm te qytetarët amerikanë dhe elementët e opozitës iraniane, por mund të preki edhe qytetarët shqiptarë:
“Qytetarët shqiptarë bashkëjetojnë me qytetarë amerikanë dhe turistë të huaj në qendra turistike, tregtare dhe industriale. Prandaj rreziku është ndaj gjithë qytetarëve shqiptarë, dhe kjo e bën të domosdoshme që qeveria shqiptare të marrë masa të ngjashme me ato të vendeve të tjera demokratike të Europës. Duhet të ishte mbledhur Këshilli i Sigurimit Kombëtar dhe qytetarët të informoheshin për situatën e rrezikshmërisë. Çdo vend demokratik ka detyrimin të mbajë bashkëpërgjegjësi ndaj akteve të mundshme të terrorizmit,” shtoi Nesho.
