Pamje: Kimi i Koresë së Veriut i nderon ushtarët e tij që u vranë në luftë me Ukrainën

Udhëheqësi i Koresë së Veriut, Kim Jong Un, i ka nderuar ushtarët koreanoveriorë që janë vrarë gjatë luftës së Rusisë me Ukrainën, duke i vendosur duart në arkivolet e tyre të kthyera në atdhe në një pranim të rrallë publik se forcat e tij të armatosura kanë pësuar në njerëz në këtë konflikt.

Fotografi të udhëheqësit duke qëndruar para disa arkivoleve të mbuluara me flamurin koreanoverior u shfaqën në një ekran të madh në një tubim të mbajtur të dielën për ta shënuar përvjetorin e parë të traktatit ushtarak mes Koresë së Veriut dhe Rusisë, shkruan gazeta “The Guardian”.

Ngjarja e organizuar në Teatrin e Madh të Penjanit Lindor kombinoi performanca të artistëve koreanoveriorë dhe rusë me pamje që e shënonin paktin e përbashkët të mbrojtjes që e kanë nënshkruar Kimi dhe presidenti rus, Vladimir Putin, në Penjanin në qershorin e vitit të kaluar.

Skenat ku shfaqeshin Kimi me mbetjet e ushtarëve të rënë i pasuan ato të ushtarëve nga të dyja vendet që i valëvitnin flamujt e tyre shtetërorë. Në një fotografi u shfaqën gjoja faqe të një fletoreje të njollosur me gjak, që besohet se i përkiste një ushtari koreanoverior dhe e cila ishte marrë nga fusha e betejës në rajonin Kursk të Rusisë.

Sipas agjencisë së lajmeve nga Koreja e Jugut, “Yonhap”, në shkrimet e gjetura në fletore thuhet: “Momenti vendimtar më në fund ka ardhur” dhe “le të luftojmë trimërisht në këtë betejë të shenjtë me dashuri të pakufishme dhe me besimin e dhënë ndaj nesh nga Komandanti ynë i dashur Suprem”.

Nuk ishte menjëherë e qartë se kur ishte mbajtur ceremonia e riatdhesimit të trupave. Kimi dhe zyrtarët e tjerë, përfshirë ministren e Jashtme, Choe Son-hui, shihen të veshur me rroba dimri, që lë të kuptohet se kufomat e ushtarëve mund të jenë kthyer disa muaj më parë.


Pasi me muaj kishte mohuar se ushtarë koreanoveriorë ishin dërguar për të luftuar krahas forcave ruse, regjimi tani po mundohet që të paraqesë një spin pozitiv të përfshirjes në konfliktin e Ukrainës.

“Koreja e Veriut ndoshta deshi që t’i paraqesë ushtarët e rënë jo vetëm si sakrifica, por edhe si pjesë të një narracioni të fitores” – tha Hong Min, hulumtues i lartë në Institutin e Koresë për Bashkim Kombëtar.

Video nga Inteligjenca n'3D - mos e humbisni:

PUBLIKIMET E FUNDIT

TË NGJASHME

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here