Pamje ekskluzive: Polici Murat Latifi që u arrestua për lidhjet e tij me familjen Gërbeshi, gjuante me armë zjarri në aheng

Është arrestuar pjesëtari i njësisë speciale të Policisë së Kosovës, Murat Latifi.

I njëjti, po dyshohet që vazhdimisht i ka furnizuar me informacione anëtarët e familjes Gërbeshi, të cilët kanë qenë të dyshuar nga policia për përfshirje në vepra të ndryshme kriminale.

Sipas raportimeve, Murat Latifi po dyshohet që në një rast e ka transportu me veturën e tij një anëtar të familjes Gërbeshi që ishte në kërkim nga policia, duke ia mundësu kështu arratisjen.

Me të gjitha këto veprime, Murat Latifi po dyshohet se ka kryer disa vepra penale si: “Zbulimi i fshehtësisë zyrtare” për të cilën mund të dënohet 6 muaj deri në 3 vjet, pastaj “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” për të cilën mund të dënohet nga 1 deri në 8 vjet dhe “Ndihmë kryersëve pas kryerjes së veprës penale” për të cilën mund të dënohet me gjobë ose me burgim deri në 5 vite, varësisht prej rastit.

Gazetari Oqean Dërmaku, ka siguruar edhe disa pamje ekskluzive, ku Murat Latifi shihet duke shtënë me armë zjarri në një aheng dhe pastaj në një lokacion tjetër.

Sipas pamjeve, ani pse dikush tenton të pengojë Muratin për të shtënë me armë zjarri, i njëjti e vazhdon qefin e tij duke rrezikuar edhe jetën e atyre që kanë qenë të pranishëm në aheng.


Sipas burimeve të Gazetës Nacionale, Murat Latifi ka mbajtur raport shoqëror dhe është shoqëruar publikisht me anëtarë të familjes Gërbeshi, të cilët kanë qenë nën hetime nga policia.

Ai dyshohet se ka pasur raport shoqëror edhe me Tahir Gërbeshin, i cili edhe sot vazhdon të jetë në arrati dhe në kërkim nga policia.

Ky nuk është rasti i parë kur zyrtarë policor dalin të jenë “të fortit” e qytetit, duke i mbështetur dhe duke u mbështetur normalisht nga grupe kriminale të forta.

Kujtojmë që në rastin e fundit që ndodhi në qytetin e Gjilanit, ku Mefail Shkodra, i dyshuar për disa vepra penale, qëlloi për vdekje tre persona në një kafene në mes të ditës. Mefail Shkodra, bashkë me dy djemtë e tij që ishin në rast, gjendet ende në arrati dhe po kërkohet nga policia.

Por, tek kur ndodhi vrasja e trefishtë në Gjilan, Inspektorati Policor i Kosovës sygjeroi suspendimin e katër zyrtarëve policorë nga Drejtoria Rajonale e Policisë në Gjilan.

Katër policët që u suspenduan, janë Bekim Sabedini, Ardian Demiri, Metush Arifi dhe Shaban Hajdaraj.

Ky rast mori vëmendjen edhe nga ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, i cili urdhëroi IPK-në për të kryer hetime pas vrasjes së trefishtë në Gjilan, për të parë nëse ka pasur polic të përfshirë në këtë rast.

Por, pse duhet gjithë këto reagime dhe veprime nga institucionet të vijnë vetëm kur ndodhin rastet e rënda?

Gazeta Nacionale ka raportuar për shembull vazhdimisht për disa probleme që qytetari Liridon Osmani ka pasur me anëtarë të familjes Gërbeshi. Ai i ka lajmëruar të gjitha rastet në polici, por të njëjtit nuk kanë arritur ta mbrojnë e as të veprojnë shpejtë.

Në natën e DATA, shtëpia e Liridon Osmanit është sulmuar me breshëri plumbash nga një person i panjohur, duke i rrezikuar familjarët e Osmanit që ishin brenda shtëpisë.

Edhe ky rast është ende nën hetime dhe policia nuk ka arritur të zbulojë kryesin e veprës penale.

Këto grupe kriminale rriten, forcohen, kanë ndikim në institucione, krijojnë kapital të dyshimtë, shtëpi të mira e vetura të shtrenjta dhe krejt kjo ndodh nën hundën e organeve të sigurisë.

Ata janë të paprekshëm, andaj edhe viktimat e tyre në shumë raste iu dorëzohen presioneve të tyre, sepse nuk gjejnë mbështetje tek organet e rendit.

Pyetja është e thjeshtë, a duhet Svecla, IPK-ja e stacioni policor në Vushtrri të marrin masa e aksione që godasin grupet e dyshuara kriminale në Vushtrri, apo duhet të presim derisa dikush të qëllohet për vdekje dhe pastaj të dalim e të raportojmë se si janë neglizhuar rastet e paraqitura në polici, aktakuzat e ngritura në prokurori etj, etj.

Video nga Inteligjenca n'3D - mos e humbisni:

PUBLIKIMET E FUNDIT

TË NGJASHME