Shtatë ushtarë izraelitë u vranë gjatë luftimeve në Rripin e Gazës të martën, pasi një automjet i blinduar në të cilin ata ndodheshin u godit nga një pajisje shpërthyese.
Gjashtë ushtarë u identifikuan, ndërsa emri i të shtatit pritet të publikohet orëve në vijim: Matan Shai Yashinovski, Ronel Ben-Moshe, Niv Radia, Ronen Shapiro, Shahar Manoav dhe Maayan Baruch Pearlstein.
Të gjithë këta ushtarë shërbenin në Batalionin e 605-të të Inxhinierisë Luftarake, raporton gazeta “The Times of Israel”.
Sipas një hetimi fillestar të ushtrisë izraelite, një militant palestinez kishte vendosur një bombë në automjetin e blinduar të tipit “Puma”, me të cilin ushtarët po udhëtonin në qytetin Khan Younis.
Shpërthimi bëri që automjeti të kaplohej nga flaka dhe përpjekjet për ta shuar zjarrin ishin të pasuksesshme. Të gjithë ushtarët që ndodheshin brenda e humbën jetën. Mbetjet e tyre më pas u nxorën jashtë Rripit të Gazës.
Në një incident tjetër në zonën e qytetit Khan Younis, dy ushtarë të Batalionit të 605-të u plagosën. Njëri është në gjendje serioze, ndërsa tjetri ka pësuar lëndime të lehta.