Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur sot në takim shefin e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Aivo Orav.
Osmani dhe Orav, diskutuan për zhvillimet e fundit politike në vend, përfshirë procesin e konstituimit të institucioneve të reja si dhe rrugën evropiane të Kosovës.
Në njoftimin e Presidencës, po ashtu u tha se në këtë takim u diskutua edhe për vizitën e fundit të Përfaqësueses së Lartë të BE-së, Kaja Kallas.
“Presidentja Osmani e vlerësoi këtë vizitë, njëlloj si edhe vizitat e zyrtarëve të tjerë të lartë të BE-së, si një sinjal të përkushtimit të Bashkimit Evropian ndaj aspiratave të Kosovës për integrim në strukturat evropiane”, thuhet në njoftim.
“Në këtë kontekst, ndër të tjera, u diskutua edhe për rëndësinë e reformave, bashkëpunimin në fushën e sundimit të ligjit dhe thellimin e mëtejmë të bashkëpunimit me institucionet evropiane”, përfundon njoftimi i Presidencës.