Presidentja Vjosa Osmani po përfaqëson Republikën e Kosovës në samitin e gjashtë të liderëve të Komunitetit Politik Evropian (EPC), i cili po mbahet këtë edicion në Tiranë. Në këtë ngjarje marrin pjesë 45 liderë evropianë, përfshirë përfaqësues të institucioneve të Bashkimit Evropian.
Sipas njoftimit nga Presidenca, Presidentja Osmani do të pritet nga kryeministri shqiptar Edi Rama dhe do të marrë pjesë në të dy seancat kryesore të samitit. Më pas, ajo do të bashkëkryesojë tryezën e liderëve me temën “Një Evropë e hapur me kufij të sigurt”, së bashku me kryeministrin kroat, Andrej Plenkoviq.
“Kjo tryezë e liderëve do të trajtojë sfidat e sigurisë në kontinent dhe mundësitë që lidhen me migrimin dhe lëvizshmërinë, me theks të veçantë në fuqizimin e të rinjve, si dhe në shfrytëzimin e potencialit të mërgatës si motor për zhvillim ekonomik dhe stabilitet. Në këtë tryezë të bashkëkryesuar nga Presidentja Osmani do të marrin pjesë liderë nga mbarë Evropa, përfshirë kryeministrat e Italisë, Austrisë, Hungarisë, Belgjikës, ndër të tjerë”, thuhet në njoftimin e Presidencës.
Në kuadër të samitit, Presidentja Osmani do të zhvillojë edhe takime bilaterale me liderë të tjerë evropianë.