Osmani, Kurti e Basha në “Ditën e Forcës”, flasin për zhvillimin e FSK-së dhe pajisjet moderne

Në kazermën “Adem Jashari” në Prishtinë, u mbajt “Dita e Forcës” — ku dyert e ushtrisë u hapën për të gjithë qytetarët që dëshironin të shihnin nga afër pajisjet ushtarake dhe strukturën e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK).

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani tha se sot është një ditë krenarie për vendin.

“Gëzuar Dita e Ushtrisë sonë. Sot është një ditë krenarie sepse ushtria jonë e sotme është pasardhëse e denjë dhe krenare e UÇK-së. Në radhët e ushtrisë sonë çdo ditë po shtohen djem e vajza që duan t’i shërbejnë atdheut. Së bashku do të ecim përpara për ta bërë ushtrinë tonë që çdo ditë e mbron shtetin tonë me sakrificë”.

Ndërsa, ish-kryekuvendari Dimal Basha përshëndeti kontributin e FSK-së, duke thënë se ka bërë një punë të jashtëzakonshme.

“Ushtria jonë është vazhdimësi e lavdishme e popullit tonë. Jemi jashtëzakonisht krenar që FSK mbetet institucioni më i besueshëm në vend. Shpresoj që kjo punë e mirë të vazhdojë për një ushtri paqedashëse dhe për të gjithë ata që ranë për vendin tonë”.

Edhe kryeministri në detyrë, Albin Kurti foli për rëndësinë e mbrojtjes dhe sigurisë.
“Patëm nderin dhe kënaqësinë që t’i vizitojmë FSK-në në prezantimin e armatimit të tyre. Kjo na bën krenar që të ndjehemi të sigurt… është ditë e lumtur për të gjithë ne, sepse me FSK dhe me këtë ushtri të pajisur kaq mirë, brezat e rinj do të jenë të sigurt që të jetojnë në paqe dhe të lulëzojnë”.

Ai nënvizoi po ashtu se FSK–ja sot është shumë më e pajisur se më parë.

“Më përpara ushtria jonë ka pasur vetëm automatikë dhe revole, ndërsa tani FSK është e pajisur me pajisje moderne …kemi më shumë se dyfishim të kapaciteteve. Po ashtu planifikojmë të marrim edhe helikopterë tip ‘Black Hawk’ nga aleatët tanë, veçanërisht nga Shtetet e Bashkuara”, tha ai.

Në “Ditën e Forcës” sot, shumë qytetarë, duke përfshirë edhe fëmijë vizituan kazermën.

Ata kishin mundësi të takonin ushtarët, të shihnin pajisjet, e në disa raste edhe të bënin fotografi me udhëheqësit e lartë të shtetit.

Video nga Inteligjenca n'3D - mos e humbisni:

PUBLIKIMET E FUNDIT

TË NGJASHME