Bartësja e listës së Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) dhe kandidatja për presidente nga kjo parti, Vjosa Osmani, ka deklaruar se pas përfundimit të zgjedhjeve, lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, do të përballet me dy alternativa sa i përket zgjedhjes së presidentit të vendit.
Duke komentuar deklarimet e bëra gjatë fushatës zgjedhore, Osmani ka thënë se ato synojnë të ndërtojnë një narrativë që dëmton kredibilitetin e saj politik para qytetarëve, por shtoi se realiteti politik pas zgjedhjeve do t’i detyrojë partitë të gjejnë zgjidhje për institucionet e vendit.
“Tash deklarimet që bëhen përgjatë fushatës, i kuptoj. Bëhen me qëllim që të ndërtohet një narrativë që do më dëmtonte mua dhe kredibilitetin politik para qytetarëve. I njoh shumë mirë gjithësecilin, e më së miri Kurtin, e njoh edhe më mirë skenën politike të Kosovës. Kur përfundojnë zgjedhjet, e dimë se të gjitha partitë, duke lënë anash Listën Serbe, do të duhen të ulen dhe të gjejnë zgjidhje përpara”, ka thënë Osmani në “Zgjedhjet në KOHË” të martën.
Ajo vlerësoi se Kurti do të ketë vetëm dy opsione për zgjedhjen e presidentit, duke e paraqitur veten si njërën prej tyre.
“Edhe Kurti për presidentin do t’i ketë dy zgjidhje përpara, o të përkrah një president që ka përfaqësuar vendin në mënyrën më të mirë të mundshme, vlerësim që ka qenë edhe i tij deri tash, ose të përkrah alternativën të cilën ai e quan si alternativa e komandantëve, e Lushtakut e të tjera. Këto janë dy alternativat sepse janë dy parti të tjera, përveç VV-së, me të cilat ai do të zgjedhë të bashkëpunojë sa i përket çështjes së presidentit”, ka deklaruar Osmani.
