-6.8 C
Pristina
E premte, 9 Janar, 2026

Njoftohet tjetër evakuim i menjëhershëm në Durrës, zbulohen zonat

Ministria e Mbrojtjes ka lëshuar një njoftim zyrtar urgjent për evakuimin e menjëhershëm të banorëve në disa zona të qarkut Durrës, si pasojë e situatës së krijuar nga përmbytjet dhe rrezikut të drejtpërdrejtë për jetën dhe shëndetin e qytetarëve.

Sipas njoftimit, në zbatim të Ligjit nr. 45/2019 “Për Mbrojtjen Civile”, Planit Kombëtar të Emergjencave Civile dhe planeve vendore të emergjencave, evakuimi do të kryhet në territorin e: Bashkisë Durrës, Njësisë Administrative Sukth, Njësisë Administrative Katund i Ri.

Evakuimi do të realizohet në koordinim me Agjencinë Kombëtare të Mbrojtjes Civile (AKMC), Prefektin e Qarkut dhe strukturat vendore të emergjencave civile. Ministria thekson se, sipas legjislacionit në fuqi, Kryetari i Bashkisë është autoriteti përgjegjës për urdhërimin e evakuimit në territorin administrativ përkatës.

Autoritetet bëjnë thirrje që çdo komunikim apo kërkesë për ndihmë të drejtohet te strukturat publike në terren.

Prioritet në procesin e evakuimit do t’u jepet: fëmijëve, të moshuarve, personave me aftësi të kufizuara, familjeve që ndodhen në zona të izoluara.

Transporti për evakuimin do të sigurohet nga mjetet e Bashkisë, Shërbimi i Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimi (MZSH) si dhe Forcat e Armatosura.

Ministria e Mbrojtjes ka bërë me dije se qarqet më problematike janë qarqet Shkodër, Lezhë, Durrës, Fier, Berat dhe Gjirokastër. Ministria thekson se në terren janë angazhuar rreth 150 efektivë të Forcave të Armatosura, mbi 20 mjete të rënda, 10 gomone shpëtimi dhe 15 pompa thithëse.

Në qytetin e Lezhës rreth 3,000 hektarë tokë bujqësore janë përmbytur. Mësohet se janë evakuuar dy familje dhe rreth 100 banesa janë të rrethuara nga uji, kryesisht në njësitë administrative Dajç, Babullojë, Balldren dhe Shënkoll.

Nga ana tjetër në Vlorë, niveli i lumit Vjosë në Novoselë ka kaluar mbi 9 metra. Janë evakuuar 13 familje pranë Urës së Mifolit dhe në Novoselë, pa prezencë uji në banesa. Në Durrës po vijon punën për largimin e ujit nga rreth 800 banesa dhe objekte, kryesisht në zonat e burgut, ish-Kënetës, Shkozetit dhe Nishtullës.

250 persona janë strehuar në Shtëpinë e Pushimit të Forcave të Armatosura në Durrës dhe 55 persona në Kovalishencën e Ministrisë së Brendshme. Lumenjtë Erzen dhe Ishëm, si dhe kanali i Tones, janë në kuota maksimale, ndërsa disa rrugë mbeten të bllokuara.

Video nga Inteligjenca n'3D - mos e humbisni:

PUBLIKIMET E FUNDIT

TË NGJASHME