Agjencia gjysmëzyrtare iraniane e lajmeve, “Mehr”, pretendon se Irani ka hedhur raketa të tipit “Fattah” drejt Izraelit.
Televizioni CNN nuk mund ta vërtetojë këtë pretendim.
Vitin e kaluar, mediat iraniane raportuan se Teherani përdori një raketë të re, të quajtur “Fattah-1”, në sulmet ndaj Izraelit atë kohë. Irani e përshkruan raketën “Fattah-1” si raketë “hipersonike” – që do të thotë se ajo fluturon me shpejtësinë Mach 5 ose pesë herë më shpejt se shpejtësia e zërit (rreth 6.100 kilometra në orë).
Megjithatë, analistët theksojnë se pothuajse të gjitha raketat balistike e arrijnë shpejtësinë hipersonike gjatë fluturimit të tyre, sidomos në kohën kur ato fillojnë ta ulin lartësinë drejt arritjes së cakut.
Fabian Hinz, hulumtues në Institutin Ndërkombëtar për Studime Strategjike, i cili ka shkruar për këtë temë, tha se raketa “Fattah-1” duket se ka një kokë luftarake në një “mjet të manovrueshëm për rihyrje”, që ia mundëson përshtatjen për t’iu shmangur sistemeve të mbrojtjes ajrore gjatë një pjese të shkurtër të lëshimit të saj drejt cakut.