Një automjet i xhandarmërisë franceze pagëzohet me emrin “Kosova” – do të parakalojë më 14 korrik në Paris

Në prag të paradës së madhe ushtarake të 14 korrikut në Paris, një nga automjetet e reja të blinduara të xhandarmërisë franceze është pagëzuar me emrin “Kosova”, në një ceremoni zyrtare të mbajtur më 1 korrik në Versailles-Satory.

Në prani të autoriteteve ushtarake franceze, dymbëdhjetë automjete për ndërhyrje shumëfunksionale “Centaure” (VIPG) u prezantuan si pjesë e Grupit të Blinduar të Xhandarmërisë Mobile (GBGM), dhe do të jenë pjesë e paradës zyrtare që do të mbahet në Champs-Élysées në Ditën Kombëtare të Francës.

Gjenerali Christophe Daniel, komandant i GBGM-së, e cilësoi ceremoninë si një ngjarje me simbolikë të thellë. Ai nënvizoi se emrat e vendosur për secilin automjet përfaqësojnë vlera historike, ushtarake dhe morale të Francës.

Përveç “Kosovës”, automjetet u emërtuan edhe me emra si “Afganistan”, “Stonne”, “Kapiten Delpal”, “Trimëri” dhe “Disiplinë”, në nder të betejave të rëndësishme, operacioneve ndërkombëtare dhe virtyteve ushtarake.

“Është një simbol i fortë, i cili konkretizon punën dhe angazhimin tonë”, tha Gjenerali Daniel, duke përkujtuar gjithashtu se parada e fundit e motorizuar e GBGM-së kishte ndodhur në 14 korrik të vitit 2000, menjëherë pas kthimit nga një operacion në Kosovë.

Ministria e Brendshme e Francës theksoi se këto automjete moderne “Centaure” zëvendësojnë mjetet VBRG të përdorura që nga viti 1974.

Secili automjet është i aftë të mbajë dhjetë persona dhe është projektuar për një gamë të gjerë misionesh operacionale, duke përfshirë ndërhyrjet në ngjarje të ndjeshme dhe menaxhimin e krizave.

Për të theksuar rëndësinë e ceremonisë, secilit automjet iu caktua një sponsor simbolik – nga xhandari më i ri deri te oficerët me përvojë në operacione ndërkombëtare, përfshirë ato në Kosovë dhe Afganistan.

Emërtimi i një prej automjeteve me emrin “Kosova” konsiderohet një vlerësim i veçantë ndaj historikut të angazhimit të Francës në Kosovë dhe marrëdhënieve të ndërsjella ndërmjet dy vendeve.

Video nga Inteligjenca n'3D - mos e humbisni:

PUBLIKIMET E FUNDIT

TË NGJASHME

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here