Në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë ka nisur protesta gjithëpopullore me moton “Kundër padrejtësisë”, në mbështetje të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që ndodhen në paraburgim në Hagë që nga nëntori i vitit 2020.
Mijëra qytetarë nga e mbarë Kosova, viset shqiptare dhe diaspora janë mbledhur në qendër të kryeqytetit, duke mbajtur flamuj kombëtarë dhe pankarta simbolike, për të shprehur solidaritetin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, të cilët po gjykohen për krime lufte dhe janë deklaruar të pafajshëm për të gjitha pikat e aktakuzës.
Tubimi është organizuar nga OVL-UÇK dhe organizatat e dala nga lufta, të cilat kanë bërë thirrje për pjesëmarrje masive dhe paqësore. Nënkryetari i OVL-UÇK-së, Gazmend Syla, konfirmoi se janë ndërmarrë të gjitha përgatitjet, përfshirë edhe organizimin e transportit për qytetarët që vijnë nga komunat e tjera.
Protesta është mbështetur gjerësisht nga partitë politike shqiptare, deputetë, organizata të shoqërisë civile dhe qytetarë nga të gjitha trevat shqiptare.