Gjatë ditës së sotme njëri nga anëtarët e familjes Geci i është bashkuar Partisë Guxo.
Kështu ka bërë të ditur Donika Gërvalla përmes një njoftimi për media.
”Sot, në Partinë Guxo mirëpritëm Fatos Gecin, ekonomistin nga Drenica. Ai po bashkohet me familjen tonë politike, duke pasur guximin, idealizmin, patriotizmin dhe formimin institucionalist që e ka në asht, si pinjoll i denjë i familjes tradicionale e fisnike të Bajraktarit të Llaushës, djali i vëllait të madh nga Shtatë Vëllezërit Geci” ka shkruar Gërvalla.
Sipas Gërvallës, ‘Guxo’ është trashëgimtare e denjë dhe e vetme e Ibrahim Rugovës.
”Duke trashëguar traditën, familja e Fatosit dha provimin më të madhërishëm. Fillimisht, në rezistencën civile, pas kësaj si bashkëluftëtarë të Adem Jasharit e luftëtarë deri në çlirimin e vendit dhe në përpjekjen e përhershme për shtetndërtimin e Kosovës, gjithmonë duke qenë mbështetës të institucioneve të Kushtetutës së Kaçanikut dhe të Presidentit Ibrahim Rugova. Nga sot, rrugën për Kosovën, Fatos Geci do ta bëjë bashkë me Partinë Guxo, trashëgimtaren e denjë dhe të vetme të Ibrahim Rugovës”, ka shkruar Gërvalla.