Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka ngritur aktakuzë ndaj J.GJ., ish-zyrtare në Misionin e OSBE-së në Kosovë, për veprën penale të “Spiunazhit”, duke e akuzuar për bashkëpunim të qëllimshëm me Agjencinë për Inteligjencë dhe Siguri të Serbisë (BIA).
Sipas aktakuzës së dorëzuar në Gjykatën Themelore në Prishtinë, J.GJ. dyshohet se prej një periudhe të pacaktuar e deri në arrestimin e saj më 28 shkurt 2025, ka vepruar me vetëdije dhe qëllim për t’i shërbyer interesave të një shërbimi të huaj inteligjent, duke rrezikuar seriozisht rendin kushtetues dhe sigurinë kombëtare të Republikës së Kosovës.
E pandehura, e cila mbante pozitën “Zyrtare e Programit Kombëtar” në Qendrën Rajonale të OSBE-së në Mitrovicë, dyshohet se ka siguruar dhe shpërndarë dokumente dhe informacione të ndjeshme në favor të BIA-s.
Sipas Prokurorisë, këto të dhëna kanë përfshirë informacione të ndjeshme të natyrës politike dhe të sigurisë, që janë përdorur për të krijuar një narrativë armiqësore ndaj institucioneve të sigurisë dhe shtetësisë së Kosovës.
Hetimet e zhvilluara kanë zbuluar se J.GJ. ka vepruar nën udhëzimet e A.V., tashmë i dënuar për spiunazh, dhe se përmes kontakteve të saj zyrtare dhe përmbajtjes së raporteve të OSBE-së, ka kontribuar në përhapjen e narrativës që cenon integritetin e Republikës së Kosovës.
Informacionet, sipas Prokurorisë, janë transmetuar tek zyrtarët e lartë të BIA-s, përfshirë R.G., përgjegjës për Rajonin e Novi Pazarit, dhe L.B., me të cilin J.GJ. raportohet të jetë takuar edhe në Beograd.
Për këto veprime, Prokuroria Speciale ka kërkuar vazhdimin e masës së paraburgimit për të pandehurën, si dhe shpalljen e saj fajtore dhe shqiptimin e një dënimi në përputhje me legjislacionin në fuqi.