Një prej centraleve më të mëdha bërthamore në Francë, ai i Gravelines në veri të vendit, është detyruar të ndalojë plotësisht prodhimin pas një ngjarjeje të pazakontë: një tufë masive kandilësh deti ka bllokuar filtrat e ujit ftohës.
Sipas operatorit shtetëror EDF, incidenti ndodhi mbrëmjen e së dielës, kur filtrat e stacioneve të pompimit që furnizojnë me ujë të ftohtë nga kanali i lidhur me Detin e Veriut u mbushën plot nga kandilat.
Si pasojë, reaktorët 2, 3 dhe 4 u ndalën automatikisht, ndërsa pak më vonë u fik edhe reaktori 6. Dy reaktorët e mbetur janë aktualisht jashtë shërbimi për mirëmbajtje të planifikuar, shkruan Guardian.
Ekspertët thonë se disa specie kandilësh janë të zakonshme në Detin e Veriut dhe shfaqen më shpesh pranë bregut gjatë verës, kur uji është më i ngrohtë. Por një tufë kaq e madhe, dhe që të ndërpresë një central bërthamor, mbetet një fenomen i rrallë dhe i paparashikueshëm.