Ngërçi i krijuar në Kuvend po vazhdon tash e sa javë me partitë politike të cilat nuk po japin shenja të ndryshimit në qëndrimet që ato kanë. Lëvizja Vetëvendosje insiston në emrin e Albulena Haxhiut për kryetare të kuvendit, dhe në formën e votimit të fshehtë për ta përfunduar këtë proces. Kurse në anën tjetër, Partia Demokratike e Kosovës, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, insistojnë në ndryshimin e kandidatit dhe në votim të hapur, shkruan Gazeta Express.
Si hap tentimi për dalje nga kriza e krijuar, AAK me përkrahjen e deputetëve të PDK-së e LDK-së, e kanë dërguar në Kushtetuese propozimi e VV-së për ndryshim të mënyrës së votimit.
Gazeta Express ka dërguar pyetje lidhur me këtë çështje, për të cilën Kushtetuesja ka thënë se është ende në shqyrtim.
‘‘Kjo lëndë është ende duke u shqyrtuar. Për vendimmarrjen e Gjykatës do të njoftohen me kohë të gjitha palët e interesit dhe opinioni’’, është thënë nga Kushtetuesja për Express.
Ndryshe, të nesërmen, deputetët e rinj me mandatin e fituar nga zgjedhjet e mbajtura pothuajse katër muaj me parë, do të mblidhen sërish në atë që do të jetë tentativa e 23 për konstitumin e kuvendit.