Një emigrant shqiptar, që hyri ilegalisht në Britaninë e Madhe me gomone dhe më pas u përfshi në trafikim droge, është përballur me vendim deportimi, tre vite pas mbërritjes së tij.
Elvis Zoto, 22 vjeç, u dënua me 2 vjet e 9 muaj burg për trafik kokaine të pastër dhe së fundmi, Gjykata e Lartë ka miratuar dëbimin e tij, pavarësisht përpjekjeve për të vonuar procedurën me pretendime për azil.
Zoto publikonte hapur në rrjetet sociale udhëtimin e tij të paligjshëm nga Franca në Dover në qershor 2022 dhe postoi madje formularin e regjistrimit në Ministrinë e Brendshme britanike. Ai pranoi se kishte kaluar Kanalin me ndihmën e një kontrabandisti dhe e cilësoi udhëtimin si “të lehtë”.
Pas mbërritjes, ai kërkoi azil dhe u strehua në një hotel me katër yje (Crowne Plaza) në Basingstoke, por u arratis përmes një dritareje vetëm dy ditë më pas. Pavarësisht se Ministria e Brendshme e konsideroi kërkesën e tij për azil të tërhequr, ajo nuk ishte në gjendje ta kontaktonte, edhe pse kishte numrin e tij të telefonit.
Në nëntor 2023, Zoto u arrestua nga Policia e Essex gjatë një ndalese, duke rezultuar në akuzë për trafik droge të klasit A. Ai u dënua në prill 2024 dhe përballoi automatikisht procedurat për dëbim. Megjithatë, ai pretendoi se ishte viktimë e trafikimit të qenieve njerëzore dhe kishte ende një kërkesë azili në pritje, duke fituar të drejtën e apelimit.