Marrëdhënia mes shqiptarëve të Kosovës dhe Izraelit është një histori e ndërtuar mbi themelet e besës dhe humanizmit.
Para se të shpjegojmë ndihmën e Izraelit gjatë luftës së Kosovës, është e rëndësishme të kuptojmë rrënjët e lidhjes mes dy popujve tanë, një lidhje që u vulos gjatë Luftës së Dytë Botërore. Ndërsa në pjesën tjetër të Evropës, hebrenjtë po persekutoheshin, shqiptarët, duke u udhëhequr nga parimi i “besës”, shpëtuan mijëra jetë hebrenjsh. Trevat shqiptare ishin vendet e vetme në Evropë ku numri i hebrenjve në fund të luftës ishte më i madh se në fillim. Ky akt heroik nuk është harruar dhe ka mbetur një themel i fortë i vlerave të përbashkëta.
Kjo histori ishte ajo që frymëzoi pjesërisht Izraelin të mobilizohej shpejt gjatë luftës së Kosovës në vitin 1999. Kur refugjatët shqiptarë po iknin nga spastrimi etnik, Izraeli e pa si një detyrë morale të ndihmonte, duke vënë në jetë parimin e ndihmës reciproke.
Forcat Mbrojtëse të Izraelit (IDF) ngritën një spital fushor modern në kufirin Kosovë-Maqedoni, ku u trajtuan mbi 1.000 refugjatë shqiptarë. Ky ishte një nga spitalet më të avancuara në atë kohë dhe trajtimi ishte falas.
Po ashtu Izraeli priti rreth 112 refugjatë shqiptarë, kryesisht fëmijë ku ju ofrua strehim, ushqim dhe shkollim.
Në atë kohë Izraeli dërgoi me qindra tonë ushqime, ilaçe dhe veshmbathje për refugjatët kosovarë në Shqipëri dhe Maqedoni.
Zyrtarët izraelitë theksuan në atë kohë se kjo ndihmë ishte një “borxh i nderit” ndaj shqiptarëve që kishin shpëtuar jetë hebreje gjatë Luftës së Dytë Botërore.
Megjithatë, kjo mbështetje humanitare nuk u përkthye menjëherë në mbështetje politike për pavarësinë. Izraeli hezitoi të njihte Kosovën për vite me radhë për disa arsye siç ishte çështja palestineze. Njohja e një shteti të shpallur në mënyrë të njëanshme mund të shihej si një precedent për palestinezët, një rrezik që Izraeli nuk donte ta merrte.
Kthesa erdhi në vitin 2020, kur nën ndërmjetësimin e Shteteve të Bashkuara, Izraeli dhe Kosova ranë dakord për njohjen e ndërsjellë si pjesë e Marrëveshjes së Uashingtonit. Ky vendim shënoi një kapitull të ri në marrëdhëniet dy-palëshe. Menjëherë pas njohjes, Kosova hapi ambasadën e saj në Jerusalem, duke e vendosur veten mes aleatëve më të fortë të Izraelit. Kjo marrëdhënie e re, e bazuar në vlerat e përbashkëta të historisë dhe një vizion për të ardhmen, ka hapur rrugën për bashkëpunim të frytshëm në fusha si teknologjia, siguria dhe ekonomia./Korrespodenti