Pas më shumë se dy dekadash dominim në Fushë Kosovë, Lidhja Demokratike e Kosovës ka pësuar rënien më të thellë elektorale, duke kaluar për herë të parë në vendin e dytë, shkruan Korrespodenti.
Sipas rezultateve preliminare të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për zgjedhjet e 12 tetorit 2025, Lëvizja Vetëvendosje prin në këtë komunë me 33.97 për qind të votave, ndërsa LDK renditet e dyta me 29.10 për qind. Në vendin e tretë pozicionohet PDK me 20.01 për qind.
Në zgjedhjet komunale të vitit 2017, Lidhja Demokratike e Kosovës dominoi bindshëm në Fushë Kosovë me 63.84% të votave, duke ruajtur statusin e partisë më të fuqishme në komunë për më shumë se dy dekada.
Katër vjet më vonë, në zgjedhjet e vitit 2021, LDK arriti sërish fitore të qartë me 65.45% të votave, duke e mbajtur Fushë Kosovën si një nga bastionet e saj më të qëndrueshme politike.
Brenda vetëm katër vjetësh, partia ka humbur më shumë se 36 për qind të elektoratit, duke regjistruar një nga rëniet më të mëdha në nivel komunal në këto zgjedhje.
Mediat lokale e cilësojnë këtë si një ndryshim të ndjeshëm të klimës elektorale, ku qytetarët kanë kërkuar një alternativë të re pas shumë vitesh dominimi nga një parti e vetme. Sipas tyre, Lëvizja Vetëvendosje ka përfituar nga mobilizimi i votuesve të rinj, nga rritja e perceptimit për afërsi me qytetarët, si dhe nga zhgënjimi në strukturat tradicionale të LDK-së, të cilat në vitet e fundit janë përballur me vështirësi në rinovim dhe organizim të brendshëm.
Në këtë kontekst, Valon Prebreza, kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje, shihet si figura që solli ndryshimin në Fushë Kosovë. Ai ka arritur ta rrisë votën e Vetëvendosjes me mbi 150 për qind krahasuar me zgjedhjet e kaluara, duke fituar mbështetje të gjerë edhe nga votues jashtë elektoratit tradicional të VV-së.
Burime lokale vlerësojnë se një pjesë e konsiderueshme e votuesve opozitarë janë rreshtuar përkrah tij, duke e parë si një figurë të re që përfaqëson frymën e ndryshimit dhe afrimit me qytetarët.
Rezultati i këtyre zgjedhjeve jo vetëm që ndryshon ekuilibrat politikë në Fushë Kosovë, por shënon edhe fundin e një epoke të gjatë të dominimit të LDK-së në këtë komunë. Tashmë, fokusi politik pritet të zhvendoset drejt balotazhit, ku pritet të shihet nëse kjo tendencë e re do të konsolidohet apo do të mbetet një sinjal kalimtar në hartën politike të vendit. /Korrespodenti