Gjatë konferencës së tij të parë për gazetarë pas pesë muajve, kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, të mërkurën e përmendi zbatimin e planit “revolucionar” të presidentit amerikan, Donald Trump, për zhvendosjen e popullsisë civile të Gazës si kusht për përfundimin e luftës.
Kjo është hera e parë që Netanyahu bën një kërkesë të tillë. Ai e quajti “të shkëlqyeshëm” planin e Trumpit dhe tha se projekti ka potencial për ta ndryshuar fytyrën e Lindjes së Mesme, raporton gazeta “The Times of Israel”.
Me operacionin e ri e të zgjeruar ushtarak tokësor në Gaza, i cili filloi në fundjavë, synohet “përfundimi i luftës, puna” në enklavë, tha kryeministri izraelit para gazetarëve dhe kamerave në Zyrën e Kryeministrit në Jerusalem.
Izraeli ka një plan “shumë të organizuar” për t’i arritur qëllimet e luftës në Gaza, këmbëngul ai, duke thënë se objektivat janë “që të mposhtet Hamasi, i cili i kreu mizoritë e 7 tetorit (2023), të kthehen të gjitha pengjet tona dhe të sigurohemi që Gaza nuk do të përbëjë kërcënim ndaj Izraelit”.
“Forcat tona po japin goditje të fuqishme që do të bëhen më të forta kundër bastioneve të Hamasit që ende ekzistojnë në Gaza” – shtoi Netanyahu, duke premtuar se deri në fundin e operacionit, “tërë territori i Gazës do të jetë nën kontrollin e sigurisë të Izraelit dhe Hamasi do të mposhtet tërësisht”.
Edhe pse tha se është “i gatshëm për t’i dhënë fund luftës”, kryeministri izraelit tha se do të pajtohet për ta bërë këtë vetëm “në kushte të qarta që do ta garantojnë sigurinë e Izraelit: Të gjitha pengjet të kthehen në shtëpi, Hamasi t’i ulë armët, të tërhiqet nga pushteti, udhëheqësia e tij të shkojë në ekzil… Gaza të çarmatoset tërësisht dhe ne ta kryejmë planin e Trumpit, një plan që është aq korrekt e aq revolucionar”.
Sipas Netanyahut, Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli janë të vendosura për t’u siguruar që Irani të mos mund të prodhojë armë bërthamore dhe Hamasi të dëbohet nga Gaza.
“Ne duam që të sigurohemi që plani i Trumpit” për Gazën të bëhet realitet, shtoi ai. “Është një plan i mrekullueshëm që vërtet mund të sjellë ndryshim jo vetëm këtu… por mund ta ndryshojë fytyrën e Lindjes së Mesme. Mund ta ndryshojë një herë e përgjithmonë tërë atë nëpër të cilën ne kemi kaluar nga Gaza me dekada” – tha më tej kryeministri izraelit.
Netanyahu tha, gjithashtu, se nëse ekziston mundësia për një “armëpushim të përkohshëm” që do ta mundësonte kthimin e pengjeve, por theksoi se kjo do të ishte vetëm e përkohshme.