Agjencia ndërkombëtare e lajmeve, Reuters ka shkruar për ajrin e ndotur në rajon, duke e nisur artikullin me Shemsi Garën nga Kosova, i cili për 30 vjet kishte punuar në minierë qymyri dhe vdiq nga kanceri në mushkëri.
Jeta në shtëpi nuk ishte shumë më e mirë për të, shkruan mediumi i madh ndërkombëtar: termocentralet që furnizon miniera derdhnin vazhdimisht tym mbi fshatin e tij. Gara vdiq të dielën në moshën 55-vjeçare, pas tre vjet trajtimi pa arritur ta kontrollonte kancerin në mushkëri. Në ditët e tij të fundit, i paaftë për të ecur, ai shtrihej në një divan në shtëpi, i rraskapitur dhe me dhimbje, ndërsa një makinë pomponte oksigjen në trupin e tij që po vdiste.Vazhdova t’i thosha se doja ta ndihmoja, por nuk munda”, tha bashkëshortja e tij Xhejlanja, e cila mbajti zi në dhomën e saj me miq të mërkurën. “Ai do të thoshte ‘Vetëm Zoti e di dhimbjen që kam’”.
Ndërsa pjesa më e madhe e botës po lëviz për ta reduktuar përdorimin e lëndëve djegëse fosile, ndotja në vendet e Ballkanit Perëndimor mbetet e lartë për shkak të ngrohjes së shtëpive, impianteve të vjetëruara të qymyrit, makinave të vjetra dhe mungesës së parave për ta trajtuar problemin.
Qytetet relativisht të vogla, si kryeqyteti i Serbisë, Beogradi dhe kryeqyteti i Bosnjës, Sarajeva, shpesh kanë kryesuar listat e përditshme të ndotjes globale, sipas faqeve të internetit që ndjekin cilësinë e ajrit në mbarë botën.Kjo ka ndikime të kushtueshme shëndetësore dhe gjithashtu mund t’i rrezikojë perspektivat e këtyre vendeve për t’u anëtarësuar në Bashkimin Europian, i cili ka standarde më të rrepta të emetimeve.
“Nuk ka burime në rajon për reduktimin e ndotjes së ajrit”, tha Mirko Popoviq, drejtor i Institutit Rregullator të Energjisë së Rinovueshme dhe Mjedisit në Beograd.
Në BE, emetimet neto të gazeve serrë kanë rënë me rreth 40% që nga viti 1990, të nxitura nga përqafimi i energjisë së rinovueshme, tha një raport i Komisionit Europian në nëntor.
Vendet e Ballkanit Perëndimor janë zotuar t’i reduktojnë emetimet e karbonit, por vështirësitë ekonomike e kanë ngadalësuar progresin.
Kosova, një nga vendet më të varfra të Europës, gjeneron më shumë se 90% të energjisë së saj nga qymyri. Banka Botërore vlerëson se një kalim në një ekonomi pa qymyr do të kushtojë 4.5 miliardë euro.
SMOGU
Ndikimi i ndotjes është i qartë në të gjithë rajonin, veçanërisht në dimër.
Smogu ka mbuluar Beogradin këtë javë, ndërsa Sarajeva ndodhet në një luginë që vepron si një kurth ndotjeje. Cilësia e ajrit të kryeqytetit boshnjak u klasifikua si “i rrezikshëm” të martën, më i keqi në botë, sipas IQAir, i cili gjurmon nivelet e ndotjes.
Në kryeqytetin e Maqedonisë së Veriut, Shkup, vendasit që mbajnë maska shpesh humbasin nga sytë malet e afërta të mbuluara me borë për ditë të tëra.
Shkalla e vdekjeve që i atribuohet ndotjes së ambientit është relativisht e lartë – 114 për 100,000 njerëz në Bosnjë dhe rreth 100 në Serbi dhe Mal të Zi, tregojnë të dhënat e Organizatës Botërore të Shëndetësisë, krahasuar me vetëm 45 në Gjermani dhe 29 në Francë.
Gara u varros të hënën në Obiliq, jashtë kryeqytetit të Kosovës, Prishtinës. Nga varrezat, pjesmarrësit në ceremoni mund të dëgjonin zhurmën e një rripi transportieri aty pranë që transportonte qymyr nga miniera në termocentrale.
Mjeku i Garës, Haki Jashari, fajin për kancerin e Garës ua lë viteve të tij në minierën e qymyrit dhe termocentraleve ndotëse.
Shkalla e kancerit është më shumë se dyfishuar në Obiliq gjatë dy viteve të fundit, tha Jashari – rezultat, shtoi ai, i një gjenerate të ekspozuar ndaj ndotësve. Ai pret që situata do të përkeqësohet.
Ministria e Energjisë e Kosovës i tha Reutersit se është e angazhuar për reduktimin e emetimeve dhe po investon në projektet e energjisë së rinovueshme dhe përmirësimin e termocentraleve ekzistuese.
Jashari dëshiron vetëm që të ishte bërë më shpejt.
“Ata do t’i kishin mbyllur termocentralet nëse ne do të ishim pjesë e BE-së. Është e papranueshme.”