Një i dënuar me vdekje në shtetin e Oklahomës i ka shpëtuar ekzekutimit vetëm pak minuta para se të ndodhte, pasi guvernatori Kevin Stitt vendosi t’i ndryshojë dënimin në burgim të përjetshëm. I dënuari, Tremaine Wood, 46 vjeç, ishte dënuar me vdekje për vrasjen e 19-vjeçarit Ronnie Wief më 1 janar 2002. Ai ka deklaruar gjithmonë pafajësinë e tij. Ekzekutimi ishte planifikuar të kryhej sot në orën 6 pasdite, por ndërhyrja e guvernatorit ndodhi në momentin e fundit.
Vendimi në bazë të rekomandimit të Komisionit të Faljes Guvernatori republikan Kevin Stitt u bazua në rekomandimin e Komisionit të Faljeve dhe Lirimeve me Kusht, i cili sugjeroi që dënimi me vdekje të ndryshohej në burgim të përjetshëm, duke pranuar se Wood nuk ishte përfaqësuar siç duhet nga avokati i tij mbrojtës gjatë gjyqit.
“Vendimi merr parasysh të njëjtin dënim të dhënë për vëllain e tij, i cili ishte gjithashtu përfshirë në vrasje” – deklaroi Stitt. Ky është vetëm rasti i dytë gjatë shtatë viteve të qeverisjes së Stitt që ai ndryshon një dënim me vdekje në burgim të përjetshëm, hera e parë ishte në vitin 2021.
Një rast me histori të ndërlikuar familjare Vëllai i madh i Tremaine Wood, i cili pranoi se kishte goditur viktimën me thikë, u dënua me burgim të përjetshëm pa lirim me kusht pas një mbrojtjeje më të fortë ligjore. Ai kreu vetëvrasje në burg në vitin 2019. Në rastin e Tremaine Wood, gjykata u kritikua për mënyrën e përfaqësimit ligjor dhe mungesën e provave të drejtpërdrejta që e lidhin me vrasjen.
Ekzekutime të tjera në SHBA
Ndërkohë, dy shtete të tjera amerikane po përgatiten të kryejnë ekzekutime në orët në vijim. Në Florida, 66-vjeçari Brian Jennings, ish-marins i dënuar për përdhunimin dhe vrasjen e një vajze 6-vjeçare në vitin 1979, pritet të ekzekutohet sonte. Në Karolinën e Jugut, 44-vjeçari Steven Bryant, i cili vrau tre burra në pesë ditë në vitin 2004, do të ekzekutohet me pushkatim, një metodë e rrallë që përdoret vetëm në pak shtete amerikane.
Bryant, pas vrasjes së fundit, kishte lënë një mesazh makabër për policinë me gjakun e viktimës: “Më kapni nëse mundeni.” Dënimi me vdekje në SHBA: një praktikë në ulje Sipas të dhënave zyrtare, nga fillimi i vitit 2025 në SHBA janë kryer 41 ekzekutime: shumica me injeksion vdekjeprurës, pesë me inhalim të azotit (një metodë e kontestuar që ekspertët e OKB-së e cilësojnë si formë “torture”), dhe dy me pushkatim. Aktualisht, 23 nga 50 shtetet amerikane e kanë hequr dënimin me vdekje, ndërsa në tre të tjera, Kaliforni, Oregon dhe Pensilvani, zbatohet moratorium me vendim të guvernatorëve.
