Ndërron jetë veprimtari i njohur shqiptar, vuri bustin e Skenderbeut përballë OKB

Profesori dhe veprimtari i njohur i çështjes kombëtare në Zvicër, Astrit Leka, është ndarë nga jeta në orët e hershme të mëngjesit në spitalin e Gjenevës (HUG), në moshën 100-vjeçare (20 dhjetor 1924 – 24 shkurt 2025). Lajmin e ka bërë të ditur gazeta zvicerane në shqip Le Canton27.ch.

I ndjeri ka lënë pas dy vajza, Brikena Leka dhe Dasara Limbert-Leka, si dhe një mbesë dhe një nip, Elena dhe Eric.

Astrit Leka ishte një figurë e shquar në diasporën shqiptare, i cili tërë jetën e tij ia kushtoi çështjes kombëtare. Duke ndjekur shembullin e shumë intelektualëve të tjerë nga Shqipëria, ai kërkoi azil politik në Zvicër në maj të vitit 1990. Veteran i Luftës së Dytë Botërore dhe një patriot i palëkundur, ai mbetet një shembull integrimi dhe një model i rrallë që nuk e harroi kurrë vendin e tij të origjinës.

Një nga kontributet më të spikatura të profesorit Leka është vendosja e bustit të heroit kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu në Gjenevë, më 1 nëntor 1997. Monumenti, i vendosur në Parkun William-Pappard, buzë liqenit të Gjenevës dhe pranë zyrave të OKB-së, ka shërbyer si një simbol i krenarisë kombëtare për shqiptarët në Zvicër dhe më gjerë.

Gjatë më shumë se katër dekadave në Gjenevë, Astrit Leka ka qenë një nga zërat më të fuqishëm në mbështetje të çështjeve shqiptare në forume ndërkombëtare, konferenca dhe tubime të ndryshme, duke përfshirë ato të mbajtura në Davos, Crans Montana, Bernë, Bruksel, Paris, Romë, Vjenë, New York dhe Pragë. Ai ishte gjithmonë i pranishëm në çdo protestë apo organizim në mbështetje të Kosovës, Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut dhe Luginës së Preshevës, gjithmonë me plis në kokë dhe flamurin kuqezi në dorë.

Astrit Leka ruajti marrëdhënie të ngushta me autoritetet zvicerane, veçanërisht në kantonin e Gjenevës, ku ai jetoi dhe veproi. Ai ishte një mbështetës i fuqishëm i integrimit të shqiptarëve në shoqërinë zvicerane, duke promovuar gjithmonë vlerat dhe kulturën shqiptare.

Ndër veprat e tij të shumta, kontributi për komunitetin shqiptar dhe vendosja e bustit të Skënderbeut në Gjenevë mbeten gurë të rëndësishëm të trashëgimisë së tij. Për më shumë se 27 vjet, ky monument ka shërbyer si një simbol i identitetit dhe krenarisë kombëtare për shqiptarët e Zvicrës dhe të diasporës.

PUBLIKIMET E FUNDIT

TË NGJASHME

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here