Të shtunën e kaluar, më 15 mars, transporti publik në Beograd u ndal plotësisht, duke shënuar një rast të paprecedentë në historinë e qytetit. Një ndër figurat e lidhura me këtë kaos është biznesmeni kontrovers Zvonko Veselinoviç, i cili ndodhet në listën e zezë të SHBA-së për aktivitete kriminale dhe lidhje me qarqe të fuqishme politike dhe ekonomike në Serbi, shkruan N1.
Protesta e madhe që u mbajt atë ditë paralizoi kryeqytetin serb, pasi edhe kompanitë private të transportit refuzuan të qarkullonin. Sipas Forbes Serbia, një nga kompanitë kryesore të transportit në Beograd, Strela, është e lidhur ngushtë me Predrag Lovriçin, një biznesmen që ka lidhje të drejtpërdrejta me Veselinoviçin. Lovriç është bashkëpronar i kompanisë Meteor 017, ku 50% e aksioneve janë në pronësi të Vladan Milanoviçit, drejtorit të Betonjerka Aleksinac, e cila është në pronësi të Inkop-it, kompani e kontrolluar nga vëllezërit Veselinoviç.
Gjithashtu, lidhjet mes Lovriçit dhe Veselinoviçit dalin në pah edhe përmes kompanisë metalurgjike Metalotehna MP AD. Ky ndikim i rrjetit të Veselinoviçit në transportin publik hedh dyshime serioze mbi arsyet e ndaljes totale të qarkullimit urban gjatë protestave, duke ngritur pikëpyetje për përfshirjen e qarqeve të afërta me pushtetin në këtë vendim drastik.